Transmetuar më 26-08-2022, 21:35

Vogëlushja 6 vjeçare nga Shqipëria, Amelia, u dërgua sot në atdhe për t’u përcjellë në banesën e fundit. Ajo u mbytur tragjikisht në det në Kalamaki të Korinthisë në Greqi. Babai i saj, siç u bë e ditur, nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e fëmijës.

"Amelia u fut me rrobat dhe sandalet e saj, se kishte iriq deti dhe jelekun e shpëtimit që i kisha blerë e kishim në motor”, ka rrëfyer ai.

“Ne notuam deri te varka, e cila ishte ankoruar rreth dhjetë metra larg bregut. Aty deti është rreth 3 metra i thellë. Nuk ishte hera e parë. Dhe herë të tjera në të kaluarën Amelia hipte në këtë varkë dhe luante. Atë çast kam kapur varkën me njërën dorë dhe u përpoqa ta ngrija vajzën time me dorën tjetër. Por ajo rrëshkiti nga unë dhe filloi të zhytet në ujë. Më kapi paniku. Nuk munda të zhytesha sepse kam astmë dhe nuk mbaj dot frymën”, tha ai për momentet e fundit të 6-vjeçares.

“Po bërtisja për ndihmë, por nuk kishte njeri përreth. Unë vuaj nga astma dhe volumi i zërit tim nuk është i mundur. Notova deri në breg për të thirrur për ndihmë në celularin tim, por kur arrita te motori kuptova se nuk kisha bateri. I hutuar mora motorin dhe shkova dy kilometra deri te shtëpia ime, prej nga thirra policinë. Siç mora vesh ndërkohë, ma kishin gjetur vajzën të vdekur në det”, përfundoi babai i vogëlushes fatkeqe.

42-vjeçari me pëlqimin e prokurorit është lënë i lirë me kushte shtrënguese, duke mos u lejuar të largohet nga Greqia.

Nga momenti kur bëhet telefonata e parë e babait 42-vjeçar me autoritetet e deri tek telefonata e bashkëshortes së peshkatarit që pikasi trupin e pajetë të 6-vjeçarit teksa ishte duke peshkuar, kalojnë 23 minuta.

Kjo ësbtë kronologjia e tragjedisë që noa.al ju sjell më poshtë:

Me një motor, babë e bijë janë nisur në orën 11.00 të mëngjesit të së hënës nga shtëpia e gruas së tij në qendër të Korinthit.

Nëna e 6-vjeçares tha për mediat greke se ky takim nuk ishte i planifikuar. “Ka ardhur këtu dhe më tha: “Do ta marr fëmijën sot se jam në shtëpi”. Nuk e prisja”, tha ajo.

Pak pas orës 12:00 të mesditës, 42-vjeçari është parë duke drekuar me vogëlushen në një tavernë buzë detit në Kalamaki, ku sipas dëshmitarëve ka qëndruar për rreth gjysmë ore.

Diçka që e përshkruan vetë i pandehuri në fjalën para autoriteteve. “Në fillim dolëm për shëtitje dhe më pas hëngrëm diçka. Amelia hëngri gjysmë salsiçe dhe pak byrek. Kur mbaruam, ajo kërkoi të shkonte në det”, tha ai dhe shtoi: "I thashë që nuk kemi rroba banje, sepse mami kishte harruar t’i fuste në gjërat e saj, por vajza e vogël këmbënguli, kështu që u binda".

Në deklaratën e tij, 42-vjeçari ka pohuar se menjëherë pasi kanë ngrënë kanë shkuar në plazh. “Nuk e mendoja se do të ishte problem që sapo kishte ngrënë, sepse sasia ishte e vogël. Arritëm në plazh dhe u futëm në det”.

Më tej babai 42-vjeçar ka telefonuar për herë të parë, në orën 14:45 të së hënës së kaluar, nga pallati ku banon. Mësohet se komunikimi ka qenë i vështirë, ndaj dy minuta më vonë, në orën 14:47, 42-vjeçari telefonon sërish policinë dhe arrin t’i informojë për vendndodhjen e tij dhe atë që ka ndodhur.

Tre minuta më pas, në orën 14:50 autoritetet policore njoftojnë Autoritetin Portual të Korinthit. Forca të policisë mbërrijnë në shtëpinë e 42-vjeçarit në orën 15:00 dhe e çojnë me një makinë patrullimi në plazhin e Kalamaki.

Në orën 15:08, bashkëshortja e një peshkatari, që nxori nga deti 6-vjeçaren pa ndjenja, njofton policinë për vendndodhjen e saj.

Kurse peshkatari Pavlos Bounas tha: "Fëmija u braktis, u la vetëm, në ujë. Ajo u mbyt me rrobat e saj” janë fjalët tronditëse të zhytësit që ka pikasur për herë të parë trupin e pajetë të 6-vjeçares teksa ishte duke peshkuar.

Duke folur për tv Mega, peshkatari foli sesi babë e bijë u gjendën në plazhin e shkretë, i cili është 6-7 kilometra nga taverna ku kanë ngrënë. Ai iu referua edhe faktit se kur babai u kthye në vendin e mbytjes së 6-vjeçarit, rrobat i ishin tharë.

“Nuk mund ta kuptoj se si një prind që e di se fëmija i tyre ka ngrënë, mund ta marrë më pas për në det. Nuk mund ta pranoj që ndërsa po hanin në një tavernë në Isthmia, ku kishte kaq shumë njerëz përreth, ai vendosi të bënte 6-7 kilometra dhe të shkonte në një plazh të largët që në atë kohë ishte i shkretë. Plazhet e tjera më afër vendit ku ata po hanin kishin njerëz që mund të kishin ndihmuar në shpëtimin e fëmijës", tha peshkatari, duke vënë në dukje se kur e gjeti fëmijën ajo ishte "blu" dhe ai nuk mund të vlerësonte se sa kohë kishte kaluar nga momenti kur gjendej në ujë.

“Nga varka, nga poshtë e vura re se ishte një njeri, u afrova, pashë që ishte fëmijë, e nxora jashtë në breg. Fillova t’i bërtas gruas sime: "Fani, Fani, është një fëmijë". Thirrëm policinë, rojen bregdetare, ata erdhën atje. Fëmija kur e nxora tashmë ishte blu, domethënë fytyra ishte mavi. Sapo e preka, filloi të rridhte ujë dhe ushqim, u përpoqa ta shpëtoj, por asgjë, jo… Nuk bëri gjë”, përshkroi ai.

“E kemi nxjerrë fëmijën me rroba. Rroba normale, pantallona të shkurtra, bluza, sandale që fëmija i merr në shëtitje, në shkollë, në këndin e lojërave. Babai i fëmijës nuk ishte aty, asnjë i afërm i fëmijës nuk ishte aty, asgjë, askush. Fëmija ishte vetëm, i braktisur në det, në ujë. Arsyetimi i parë që i dha policit dhe neve, natyrisht, ishte se u largua se nuk kishte bateri, ishte fikur telefoni, kishte shkuar për të informuar dikë”, shtoi peshkatari.

Nëna e fëmijës është në gjendje shoku. Ajo, ngjarjen tragjike nuk e ka mësuar nga bashkëshorti i saj i ndarë, por nga një fqinj. “Një fqinj më mori prej andej dhe më tha: “Eja shpejt! Ata janë duke kërkuar për fëmijën tuaj”.

Kur shkoi në spital, nëna e tmerruar, gjithçka që thoshte ishte “fëmija im, fëmija im. Pse e bëre këtë me fëmijën tim dhe jo me mua?" /noa.al