Transmetuar më 02-09-2022, 09:34

Panairi Ndërkombëtar në Shërbime i Kinës, që u hap të mërkurën në Pekin, është një platformë e rëndësishme për Kinën për të zgjeruar hapjen, për të thelluar bashkëpunimin e për të udhëhequr inovacionin, duke dhënë ndihmesë për zhvillimin e sektorëve globalë të shërbimeve dhe të tregtisë në shërbime.

Edhe në këtë panair po shfaqet prirja e Kinës në promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë me nivel të lartë hapjeje, duke lehtësuar hyrjen në treg në sektorin e shërbimeve, duke e hapur më tej tregtinë ndërkufitare të shërbimeve, duke e zgjeruar funksionin e platformës për hapje dhe duke u përpjekur të krijojë një sistem të standardeve të larta për hapjen e sektorit të shërbimeve.

Duke përshëndetur Panairin, Presidenti kinez Xi Jinping nënvizoi se Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për t’iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë dhe mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.

CIFTIS, panairi më i madh gjithëpërfshirës i tregtisë globale të shërbimeve, u hap në Pekin më 31 gusht dhe do të vazhdojë deri më 5 shtator në Qendrën Kombëtare të Konferencave të Kinës dhe parkun "Shougang".

Në edicionin e sivjetshëm, që ka si temë "Bashkëpunim për një zhvillim më të mirë, risi për një të ardhme më të gjelbër", ka një zonë ekspozimi me sipërfaqe 152 000 metra katrorë, si edhe një ekspozitë të shërbimeve të reja mjedisore në Qendrën Kombëtare të Konferencave të Kinës.

Plot 1 407 kompani marrin pjesë me prani fizike, 13.8 % më shumë se në vitin e kaluar, nga të cilat 446 përfshihen në listën e 500 kompanive më të fuqishme në botë të revistës “Fortune” ose janë udhëheqëse në sektorët e tyre.

Gjithsej 71 vende e organizata ndërkombëtare marrin pjesë në edicionin e këtij viti, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Australinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.