Transmetuar më 06-09-2022, 19:48

Iran- Dënim me vdekje për dy gra që mbështetën LGBT.

Dy aktiviste të LGBT për të drejtat e homoseksualëve janë dënuar me vdekje në Iran.

Zahra Sedighi-Hamedani, 31 vjeç dhe Elham Choubdar, 24 vjeç, janë dënuar me vdekje në Gjykatën Revolucionare të qytetit të Urmisë.

Një aktiviste e tretë, Soheila Ashrafi, 52 vjeç, është e përfshirë në këtë rast, por vendimi për të ende nuk është marrë.

Zahra dhe Elham aktualisht ndodhen në repartin e grave të Burgut Qendror të Urmisë. Në janar, ato u akuzuan për ‘përhapje korrupsioni’ duke ‘promovuar homoseksualitetin’, ‘komunikim me kanale mediatike kundër Republikës Islamike’ dhe ‘promovim të krishterimit’ nga prokurorët.

Lajmi se dy gratë janë dënuar me vdekje ka ngjallur zemërim në internet, teksa avokatë dhe grupe të të drejtave po protestojnë në rrjetet sociale për pafajësinë e tyre.

Autoritetet iraniane përdorin termin "korrupsion" për t’iu referuar një sërë shkeljesh, duke përfshirë ato që lidhen me moralin islam.