Transmetuar më 06-09-2022, 23:04

TIRANË- 6 milionë dollarë do të harxhojë Agjencia e Mbrojtjes Civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes për monitorimin e territorit me satelit për tre vite. Autoriteti kontraktor ka shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë amerikane “Satellogic USA” Inc me procedurën dialog konkurrues. Sipas ligjit të prokurimin publik, kjo lloj procedure është konfidenciale për shkak se kompania nuk do të bëjë publike informacionin e dhënë, përfshirë sekretet teknike ose tregtare dhe veçoritë konfidenciale të ofertave dhe kërkesave për pjesëmarrje.

Për më tepër ky tender i Agjencisë së Mbrojtjes Civile konsiderohet si kontratë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndaj shumë informacione nuk bëhen publike si në rastet e kontratave të tjera. Nga një kërkim i Euroneës Albania rezulton se kompania “Satellogic USA” Inc është e fokusar tek vëzhgimi i imazheve satelitore të tokës me qëllim nxitjen e një vendimmarrjeje më të mirë.

Ata thonë se duan të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve emergjente në botë siç është ushqimi, energjia dhe mënyrën si po ndryshon mjedisi. Të gjitha këto kërkojnë qasje më të madhe në imazhet satelitore me rezolucion të lartë dhe të dhëna të tjera thuhet në faqen e tyre zyrtare.

Ky tender i Agjencisë së Mbrojtjes Civile vjen në një kohë kur ky institucion është përballur më një situatë të vështirë me zjarret dhe me akuza të shumta politike për menaxhimin e saj. Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se Agjencia e Mbrojtjes Civile është e paaftë për të vlerësuar këto lloj katastrofash dhe ka mungesë në mjete dhe burime njerëzore. EuroNews