Transmetuar më 10-09-2022, 15:25

Tiranë- Një sulm i paprecedentë kibernetik i ka ndodhur sërish institucioneve shqiptare sot. Objektivi kryesor kanë qenë pikat kufitare.

Prej sulmit kibernetik nga Irani ra pre sistemi TIMS. Nga mbrëmjen e djeshme janë paralizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë.

Sulmi është evidentuar nga specialistët e policisë mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00, ndërsa kjo ka bllokuar punën e pikave kufitare të Rinasit, Kakavijës, Kapshticës, Muriqanit, Qafë Botës, Qafë Thanës, Portin e Durrësit dhe Portin e Vlorës.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës radha e makinave është kilomentrike për shkak të procedurave që po bëhen manualisht, ndërsa situata më e rënduar paraqitet në Rinas. Në Muriqan ka pasur më pak lëvizje, ndërsa në Qafë Thanë puna vijon manualisht dhe nuk ka radhë të gjata. Edhe në pikën kufitare të portit të Vlorës sistemi TIMS mungon dhe kalimi i pasagjereve kryhet me formular dhe manualisht.

Kjo ka sjellë probleme të shumta, derisa policët kanë hapur regjistrat duke punuar manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata.

Mësohet se sistemi TIMS është fikur nga autoritetet shqiptare për arsye sigurie, dhe paraprakisht dyshohet se të dhënat e sistemit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, nuk janë prekur nga hakerat.

Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi departamenti thesarit amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë, pasi goditi shërbimet online në korrik.

Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.