Transmetuar më 11-09-2022, 19:06

Tiranë- Emigracioni, ulja e lindjeve, faktorë ekonomikë, po bëjnë që popullsia e Shqipërisë të ‘tkurret’ përditë e më shumë.

Ditën e nesërme, do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës rreth 29 mijë nxënës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit vitin e kaluar numri i nxënësve që kanë nisur abetaren ka qenë 30 mijë ndërsa këtë vit kemi një rënie me diferencë 1 mijë nxënës.

Edhe pse ende nuk është bërë me dije numri total i nxënësve në sistemin para universitar, numri pritet të jetë më i ulët. Kjo pasi sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21.

Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka pësuar ulje të ndjeshme në pesë vitet e fundit. Në sistemin arismor 9-vjeçar kemi rreth 13% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2017-2018 u regjistruan 319 mijë nxënës, në vitin 2021-2022 ishin 278 mijë, pra 41 mijë nxënës më pak ndoqën arsimin bazë.

Edhe nëse përmendim regjistrimet për shkollat e mesme, ulja vazhdon prej vitesh. Nga viti shkollor 2017-2018, deri në vitin shkollor 2021-2022 kemi një rënie me rreth 17 mije nxënës më pak, ose 14.2% ulje. Nga 120 mijë nxënës numri është ulur në 103 mijë nxënës që ndjekin gjimnazin në shkallë vendi.