Transmetuar më 22-09-2022, 15:57

Nga Lutfi DERVISHI

Hakerimi i të dhënave të AKSHI-t është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në vend. Agresorët dihen. Dëmi i shkaktuar ende nuk është i qartë. Ende nuk dihet se çfarë do të vijë më pas. Gjëja më e qartë deri në këto momente është papërgjegjshmëria. Ka ndodhur gjëma dhe ASKUSH nuk ka përgjegjësi. Askush.

Edhe për ngjarjen më të rëndë, sjellja është si për çdo skandal të radhës. Minimizimi, relativizimi, justifikimi, zhvendosja e vëmendjes, normalizmi i skandalit.

1. Minimizimi

Mund të kishte ndodhur më keq. Më e keqja nuk ka ndodhur. Reaguam në kohë. Sistemi që kemi ngritur u testua dhe rezistoi. Po të mos kishim marrë masat, atëherë do të ishim vërtet keq. Agresorët nuk ia dolën, etj. etj.

2. Relativizimi

Këto gjëra ndodhin kudo. U kanë ndodhur vendeve dhe shteteve më të fuqishme se ne. Kanë ndodhur edhe më parë. Do të ndodhin sërish. Po ndodhin çdo ditë. U paralizua X, Y. etj.

3. Justifikimi

Kemi investuar, por kërkohet më shumë. Jemi çertifikuar. Jemi vlerësuar. Armiku ka investuar më shumë. Aleatët i kemi patur në krah në çdo moment.

4. Aleatët

Jemi në konsultim të ngushtë me aleatët/partnerët. Na kanë shprehur mbështetjen dhe janë gati për të na ndihmuar. Partnerët janë në krahun tonë (a thua se do të jenë në krahun e Iranit?)

5. Zhvendosja vëmendjes

Sajohet një skandal tjetër. Vihen në lëvizje institucionet e pavarura (mundësisht të drejtësisë) me veprime apo me deklarata. Mbajta e "një skandali" si AS nën mëngë për një ditë më të keqe. Kush është familjar me funksionimin e AKSHI-t e di shumë mirë që ka patur probleme të rënda me sigurinë. Por jo hetim, as analizë për çfarë ka ndodhur duket nuk ka ndërmend të bëjë askush.

Fakti që edhe sot e kësaj dite, askush nuk kërkon ndjesë për “patronazhistët” (se hetim ta harrojmë) që grabitën të dhënat e shqiptarëve, është dëshmi që siguria kibernetike asnjëherë nuk është marrë seriozisht. Dhe puna e patronazhistëve nuk është punë patriotike, por punë votash. Nuk ishte punë për Mëmëdheun, por për Nënën Parti.

P. S. Gjatë gjithë kohës së agresionit kemi dëgjuar çdo fjalë, me përjashtim të dy fjalëve: Na falni dhe ddjesë. Janë fjalë të gjuhës shqipe…