Transmetuar më 26-09-2022, 10:15

Dy milionë euro… Shumë e vogël, ose pothuajse asgjë kur bëhet fjalë për futbollin në nivelet më të larta. Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend që të përfundonte te Manchester United vetëm 18 vjeç, Cristiano Ronaldo shumë i ri do të kishte zgjedhur Malaga në Spanjë?

Pa Sir Alex Ferguson për të udhëhequr rritjen e tij, a do të ishte bërë portugezi alieni i aftë për të fituar “Topin e Artë” pesë herë? Pyetje që nuk janë të lehta për t’iu përgjigjur. Ato kanë rrezikuar të bëhen realitet, siç ka shpjeguar kohë më parë Carlos Rincon, njeriu i besuar i presidentit të atëhershëm të klubit andaluzian, Sarafin Roldan.

DY MILIONË – "Udhëzimet tona ishin shumë të thjeshta për ta forcuar sektorin e të rinjve. Donim të blinim lojtarë të rinj që mund të garantonin performanca të shkëlqyera në afat të mesëm dhe më pas mund t’i rishitnim me një çmim të mirë për të fituar para”.

Më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, veçanërisht në kushte konkurrence: "Ne duhej të arrinim te të rinjtë me perspektivë para klubeve të mëdha. Prandaj, i ndoqëm zboret e mëdhenj të të rinjve dhe kontaktuam me telefon më të mirët e turneve të ndryshëm".

Dhe ndër më të mirët, s’ka nevojë të thuhet, është Cristiano Ronaldo, i cili megjithatë tashmë është në duart e mençura dhe të kujdesshme të Jorge Mendes: “Ne e bëmë ofertën përmes tij, 1.5 milionë euro, por Sporting u përgjigj se duheshin 3.5 milionë. Nuk është një shumë e madhe, por kishim indikacione për të mos e tepruar me ofertat, kështu që u ndalëm aty”.

TASHMË FENOMEN – Gabim, sepse ai djaloshi portugez tashmë tregonte se e priste një e ardhme e ndritur: "Cristiano nuk ishte asokohe me konstruktin fizik të sotëm. Një lojtar i fuqishëm fizikisht, po, me goditje spektakolare, i aftë për të kuptuar lojën dhe me një cilësi teknike në nivel driblimi vërtet spektakolar. Nuk jam i habitur se çfarë është bërë dhe çfarë arrin të demonstrojë ende në moshën e tij 37-vjeçare. Ai i ka pasur gjithmonë ato cilësi".

Dhe më pas, siç tregon historia, ai përfundoi te Manchester United: "Ne lëvizëm shpejt, u deshën disa muaj për debutimin e tij me Sportingun e Lisbonës dhe kalimin te Manchester United. Mendes kishte marrëdhënie të shkëlqyera me klube të mëdha, ne nuk mund të konkurronim më. Sir Alex ra në dashuri me të dhe pagoi 18 milionë euro disa muaj pas ofertës sonë”.

Por, nëse Malaga nuk do të kishte kursyer në fillim, kur iu deshën 2 milionë euro më shumë…