Transmetuar më 26-09-2022, 19:17

TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar ngritjen e një grupi auditi për financimet ruse në PD.

Burime nga kryesia e PD-së bëjnë me dije se do të merret nën hetim ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha për veprimet e tij në raport me donacionet në zgjedhjet e vitit 2017. Grupin e auditit ndaj ish-kryedemokratit do ta drejtojë Ledina Mandia.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe sekretariatëve të Partisë. Ndërkohë sot në orën 17:00 do të mblidhet dhe Këshilli Kombëtar i PD-së i cili është dhe organi më i lartë legjislativ i partisë ku priten të miratohen dhe vendimet e kryesisë.

Një raport i inteligjencës amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha, i cili është akuzuar shumë herë publikisht për dosjen ‘Muzin’. Gjithçka erdhi pasi firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin.