Transmetuar më 27-09-2022, 07:41

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk tregoi nëse u takua me kryeministrin Edi Rama në Neë York. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, ajo shmangu përgjigjen duke thënë se raportet me presidentin Bajram Begaj janë të shkëlqyeshme. Më tej ajo shtoi se marrëdhëniet ndërpersonale me politikanët janë të parëndësishme, duke theksuar se rëndësi kanë ato shtetërore.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente a u takuat me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Nju Jork dhe a ka gjasa që marrëdhëniet mes jush të përmirësohen pasi që nuk është sekret që keni pasur disa mosmarrëveshje?

Vjosa Osmani: Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale. Sa herë që kemi pasur nevojë për përkrahjen e tij, për ndihmën e tij për të shtyrë nisma të caktuara përpara, qofshin ato në nivel rajonal apo më gjerë, kemi mundur të llogarisim në të prandaj po e them që raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individualë. Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë. Sot ta zëmë, ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli dy vjeçari Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që e shikon fotografinë e Valmirit të vogël nuk mund ta quajë atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik, sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie. Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve. Kosova si shtet i pavarur e sovran mos të harrojmë se është edhe projekt e sukses kombëtar, nuk është projekt e sukses vetëm i shqiptarëve të Kosovës është kombëtar, prandaj secili shqiptar gjithandej e ka obligim kombëtar që ta mbrojë e shtyjë përpara këtë projekt.