Transmetuar më 27-09-2022, 12:18

Laç- Një aksident tragjik ndodhi pak ditë më parë te Kryqëzimi i Patokut ku humbi jetën Lule Dedaj 54 vjeçe.

E motra e viktimës, Leonora, kërkon drejtësi dhe zbardhjen e këtij aksidenti.

Ajo ka deklaruar se kërkon që autori që i mori jetën dhe e braktisi në rrugë të kërkojë të paktën falje.

“I kërkoj shtetit të zbardhet kjo ngjarje. Ai person që ka shtypur motrën time të paktën të dalë të kërkojë falje. Ai nuk është interesuar fare fare, kush ishte ai person (viktima), a ka vdekur apo jo. Unë nuk di gjë, as se ku ka ndodhur, as se si ka ndodhur. Unë motrën time e kam gjetur copë-copë”.

Nga ana tjetër, policia edhe pas verifikimit të kamerave të sigurisë së bizneseve në këtë rrugë nuk ka mundur të gjejë autorin e këtij aksidenti të rëndë.

Lule Dedaj u përplas nga një automjet të premten në mëngjes, teksa po kalonte autostradën nga njëra anë në tjetrën.

Kjo autostradë mbetet problematike nga këmbësoret, të cilët bëjnë manovra të gabuara duke u munduar të kalojnë autostradën nga njëri krah në tjetrin, ndonëse pak metra më tutje ndodhet edhe mbikalimi ku mund të lëvizin.