Transmetuar më 28-09-2022, 11:54

SARANDË- Bashkia e Sarandë reagon pas zërave se shpërbleu me 23 milion lekë Grupi i quajtur “Zëri i Bilbilit” është paguar me 23 milionë e 322 mijë lekë të vjetra nga ana e Bashkisë Sarandë. Pagesat tashmë janë publike dhe kanë si motivacion kategorizimin “Shpenzime për aktivitete sociale për personelin”, kur i njëjtë grup polifonik i kushtoi një këngë kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, me rastin e inagurimit të Tunelit të Kardhiqit më 2 korrik 2022.

Por çfarë thotë Bashkia e Sarandës? Në reagim, bashkia thotë se paratë nuk i janë dhënë drejtpërdrejt grupit ‘Zëri i Bilbilit’ për këngën e kënduar për inaugurimin e tunelit të Skarficës pjesë e rrugës së re Kardhiq-Delvinë, por për një projekt të paraqitur nga shoqata me NIPT K83918992V. Projekti “Saranda në festë” dhe ”Ksamili në festë”, u miratua nga Këshilli Artistik i Bashkisë Sarandë, duke e shtrirë kalendarin e eventeve për shumë ditë radhazi. Sipas Bashkisë Sarandë, pjesëmarrës në këto evente, përveç grupit që përfaqëson Shoqatën “Zëri i Bilbilit”, në kuadër të këtij projekti, ishin edhe grupe artistike e këngëtarë nga Bashki simotra, si dhe grupe artistike me emër në të gjithë vendin. Bashkia shton se aktivitetet e dhëna nga kjo shoqatë janë të publikuara edhe në faqen zyrtare e rrjete sociale të Bashkisë Sarandë, si edhe në mediat vendore e kombëtare dhe nuk kanë lidhje me pjesëmarrjen e Shoqatës “Zëri i Bilbilit” në aktivitetin politik të organizuar me rastin e hapjes së Tunelit të Skërficës.

Reagimi zyrtar:

Lidhur me publikimin e bërë në rrjete sociale mbi shpërblimin e Shoqatës Kulturore “Zëri i Bilbilit” për aktivitetet e organizuara prej saj në periudhën e sezonit veror 2022, sqarojmë se: Pas paraqitjes nga Shoqata e mësipërme, me NIPT K83918992V, të projektit “Saranda në festë” dhe ”Ksamili në festë”, u miratua nga Këshilli Artistik i Bashkisë Sarandë, duke e shtrirë kalendarin e eventeve për shumë ditë radhazi. Pjesëmarrës në këto evente, përveç grupit që përfaqëson Shoqatën “Zëri i Bilbilit”, në kuadër të këtij projekti, ishin edhe grupe artistike e këngëtarë nga Bashki simotra, si dhe grupe artistike me emër në të gjithë vendin.

Ky projekt i paraqitur e i miratuar nga Këshilli Artistik i Bashkisë Sarandë duke patur dhe mbështetjen e saj, është jetësuar në skenën qendrore të instaluar në shetitoren e qytetit të Sarandës, si dhe në Njësinë Administrative Ksamil, duke dhënë impakt të rëndësishëm për banorët dhe pushuesit e shumtë, që i ndoqën këto koncerte gjatë sezonit turistik. Theksojmë se eventet e projektit “Saranda në festë” dhe “Ksamili në festë”, janë të publikuara edhe në faqen zyrtare e rrjete sociale të Bashkisë Sarandë, si edhe në mediat vendore e kombëtare. Ato nuk kanë asnjë lidhje me pjesëmarrjen e Shoqatës “Zëri i Bilbilit” në aktivitetin politik të organizuar me rastin e hapjes së Tunelit të Skërficës, siç interpretohet në publikimin e bërë në mediat sociale. BASHKIA SARANDË.