Transmetuar më 28-09-2022, 12:50

Bota po ndryshon bashkë me futbollin. Futja e të dhënave të mëdha, studimi i çdo situate me analiza të ndeshjeve, përgatitja fizike gjithnjë e më e sofistikuar prodhon sportistë të vërtetë në çdo nivel profesional. Edhe në krahasim me vetëm pesë vite më parë, sot po flasim për një nivel krejt tjetër sportiv.

Në kombëtaret që kemi vëzhguar në këtë “dritare” të FIFA-s, vëmë re gjithnjë e më shumë se sa prej tyre përfaqësohen nga të rinjtë e brezit të dytë, pra fëmijë nga diaspora, me prindër nga kombe të ndryshme apo që kanë shkuar shumë të rinj në vendin e tyre të ri.

Nicola Zalewski, i cili shpërtheu vitin e kaluar te Roma, zgjodhi të luajë për kombëtaren e prindërve të tij, Poloninë. Padyshim, legjitim dhe i respektueshëm, por specialistët italianë e konsiderojnë vërtet turp të mos jetë me kombëtaren axurre, pasi është rritur në sistemin italian të futbollit.

Pikërisht si Kristjan Asllani, i lindur në Shqipëri dhe mbërritur në Itali vetëm 2 vjeç, më 2000, në Buti të provincës së Pizës. Ai është formuar nga një prej sektorëve më të mirë të të rinjve në Itali, akademinë e Empolit, por italianët do ta shohin si protagonist me fanellën e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.

Debutimi i Kristjanit me Kombëtaren U-21 të “shqiponjave” daton në qershor të vitit 2021, kur u tregoi shumë njerëzve të brendshëm se sa vlen. Në janar të atij viti veshi tashmë fanellën e ekipit të parë të Empolit, në një ndeshje të Kupës së Italisë dhe në fund të atij sezoni do të ishte një nga elementët kyç të fitores së ekipit toskan në kampionatin e të rinjve (Primavera).

Në maj të vitit 2022, pak para një ndeshjeje Inter-Empoli, në margjinat e stadiumit “San Siro”, gazetarët e pyetën Aurelio Andreazzoli për talentin shqiptar. “Magjistari”, që në atë sezon e bëri Empolin të luante futbollin më të mirë në Itali, iu përgjigj një pyetje të Adani: “Kam pak kohë që e ndjek Asllanin dhe më pëlqen shumë. Deri ku mund të shkojë Asllani?”

Përgjigja e teknikut ishte e detyrueshme. Kthehet drejt fushës dhe tregon: “Deri këtu”. Aurelio parashikoi se shqiptari ishte një lojtar i denjë për “San Siro”. Me pak fjalë, dhe në vend të kësaj, pas asaj ndeshjeje në të cilën Asllani luajti një pjesë të parë përrallore, me një gol të mrekullueshëm, i pari në Serie A, do të ishte “San Siro” shtëpia e tij e radhës.

Një takim në shtator, në Monteboro, shtëpia e Empolit, ku tashmë flitej për Asllanin dhe perspektivën e tij shumë të mirë. Në fillim të sezonit, për trajnerin nga Massa, titullar ishte Samuele Ricci përpara mbrojtjes. Asllani kënaqej të ishte rezervë e tij: “Së shpejti do të vijë koha e tij, po përgatitet shkëlqyeshëm, është një Jorginho i vogël, ky djalë është sfungjer. Ju i jepni një sugjerim dhe në veprimin e radhës e shihni tashmë të asimiluar”. Ricci shkon në Torino në janar dhe Asllani nuk lëviz më nga formacioni kryesor i Empolit.

Sa e vështirë është të shohësh talente të mëdha tek të rinjtë? Jo aq e vështirë. Sa e vështirë është t’i sjellësh këto aftësi, në një kohë të shkurtër, me të rriturit? Shumë e vështirë. Asllani sot e sheh futbollin nag maja. Në fakt e ka parë si profesionist që kur mbërriti tek Empoli me këshillën e Francesco Pratali, i cili pikasi talentin e këtij djali që luante pa dallim me të dyja këmbët, qysh 6 vjeç.

Buti, Empoli, “San Siro” dhe një gol nga mesfushori-sulmues. Në ndeshjen për të cilën folëm (ndaj Interit) do të shënonte golin e tij të parë në Serie A. Ai luajti i numër 10, një përjashtim (ai praktikisht ka luajtur gjithmonë në mesfushën me tre lojtarë në sektorin e të rinjve të ekipit toskan). Një përjashtim që flet për aftësitë e tij si futbollist, njeh kohën dhe hapësirën me lexime të cilësisë më të lartë.

Në bisedën e parë me Andreazzolin, trajneri kishte konfirmuar dhe nënvizuar vazhdimisht seriozitetin e djalit (dhe familjes së tij). Në prezantimin zyrtar të Kristjanit tek Interi, pakkush e vuri re, pasi u zhvillua në të njëjtën ditë me atë të Lukakut, me fotografë dhe gazetarë të zënë duke parë kthimin e belgut në shtëpi. Asllani ishte shumë i emocionuar, por tashmë i përgatitur, njihte historinë e Interit dhe kishte studiuar atë të qytetit të tij të ri, Milanos. Një detaj që tregon shumë për të.

Përgatitjet parasezonale e panë atë protagonist, jo vetëm në rolin e tij klasik, por edhe përkrah Brozovic; në një ekip që lufton për të gjetur kreativitet dhe hapësirë, veçanërisht kur sulmon një mbrojtje të mirëvendosur. Cilësitë e shqiptarit duken, ndaj meriton minuta aktivizim në sezonin e ri. Edhe kroati tregoi menjëherë se është i kënaqur me të riun shqiptar.

Megjithatë, pas një miqësore ndaj Villarrealit në Pescara, Asllani humbet terren në hierarkitë e Simone Inzaghit, i cili i jep vetëm pak minuta, 24 në Serie A dhe 6 në Champions. Një zgjedhje që pakkush e kupton, duke nisur nga tifozët e Interit, të cilët e panë sezonin të lindur jo ashtu siç shpresonin dhe që prej kohësh kërkojnë ndryshime dhe fleksibilitet më të madh nga trajneri i tyre.

Dëmtimi i Marcelo Brozovic në ekipin kombëtar duhet ta katapultojë shqiptarin në formacionin më të mirë duke filluar nga e diela. 30 minutat lojë në këtë sezon janë të pakta për një përgatitje adekuate, por koka e djaloshit shqiptar është gati për kapërcimin e madh, edhe nëse një ekip me pak siguri si ai i sotmi, i drejtuar nga Simone Inzaghi ndoshta nuk është ideal për të lënë gjurmë.

Në fund të fundit, për këtë djalë të lindur në qendër të Shqipërisë në mars të vitit 2002, ka folur gjithmonë dhe vetëm fusha…