Transmetuar më 29-09-2022, 07:35

Tiranë- Më 1 tetor hyn në fuqi vendimi për rritjen e çmimit të energjisë për fashën që i kalon 800 KWh.

Sipas këtij vendimi konsumatorët familjarë që konsumojnë mbi 800 kWh energji në muaj do paguajnë sasinë plus me një çmim 42 lekë/KWh (pa TVSH).

Kjo rritje çmimi me më shumë se 4 herë në raport me çmimin aktual që ka një kWh energji për konsumatorët fundorë (9.5 lekë/kWh) është analizuar për efektet që do të ketë në treg. Në një dokument të KESH, që aktualisht është kompania që po siguron furnizimin me energji të vendit përmes menaxhimit të prodhimit dhe blerjeve në treg të lirë, efektet cilësohen si negative edhe pozitive.

Konkretisht kompania pret që rritja e çmimit për çdo kilovat/orë mbi fashën 800 kWh pritet të sjellë më shumë të ardhura por edhe të nxisë uljen e konsumit. Ndërkohë që tek efektet negative nënvizohet mundësia e rritjes së mospagesave dhe problemet me matjen mujore të energjisë.

“Sa i përket efektit që politikat e çmimit do të sjellin, efekti i parë i rritjes së të ardhurave shoqërohet drejtpërdrejtë me garanci për uljen e konsumit. Pra një politike çmimesh me rritje do të sillte edhe uljen e konsumit nga klientët fundorë me siguri shumë të lartë, duke garantuar edhe efektin e dhënë nga politikat e kursimit.

Megjithatë një politike rritjesh çmimesh është e sigurt që do të sjellë edhe problematika si efekte negative, ku duhet të theksohen (i) rritja e mos pagesave (ii) probleme në matjen mujore të energjisë elektrike nga faturuesi” thuhet në dokumentin zyrtar të miratimit të tarifave të ERE.