Transmetuar më 29-09-2022, 09:12

Futbolli italian është gati të mirëpresë një tjetër risi dhe të bëjë një hap të mëtejshëm drejt barazisë gjinore. Nga sezoni 2022-2023, pjesë e ekipit të arbitrave të vendosur në shërbim të Serie A dhe Serie B do të jetë edhe Maria Sole Ferrieri Caputi. Kjo është arbitrja e parë (femër) në historinë e lëvizjes futbollistike italiane.

E lindur më 20 nëntor 1990 në Livorno, ajo do të drejtojë për herë të parë këtë fundjavë një ndeshje të Serie A. Në jetën e saj e alternon pasionin për arbitrimin me punën në një qendër studimi të ligjit dhe si studiuese në Universitetin e Bergamos.

Një trajnim i gjatë akademik për gjyqtaren në fjalë, e diplomuar fillimisht për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Pizës, më pas për Sociologji në Universitetin e Firences. Në nivel arbitrimi, debutimi i saj ndodhi në Serie D, në nëntor 2015. Me atë rast ajo u thirr për të drejtuar Levico-Atletico San Paolo. Që atëherë e tutje vijoi ngjitja deri në Serie A.

Në pritje për të ditur se cila do të jetë ndeshja e parë që do t’i besohet në elitën e futbollit italian, Ferrieri Caputi tashmë ka hyrë në histori duke drejtuar një ekip të Serie A. Është Cagliari, në ndeshjen e 32-të të Kupës së Italisë 2021-2022, kundër Cittadella.

Një ndeshje në të cilën arbitrja ka anuluar tre gola, njërin me ndihmën e VAR-it. Një paraqitje bindëse që e bëri atë të ngjitej në hierarkinë e arbitrave italianë.

Dhe ja ku vjen momenti i madh për të. Në javën e tetë të Serie A (2022-2023), Ferrieri Caputi do të arbitrojë ndeshjen e parë të karrierës në këtë nivel. Ajo do të bëhet femra e parë arbitre në historinë e Serie A. Në veçanti, ajo u zgjodh për të drejtuar ndeshjen mes Sassuolo dhe Salernitana.