Transmetuar më 29-09-2022, 12:27

Nasser al-Khelaïfi, presidenti i PSG është në telashe. Publikimi i “Liberation”, këtë të enjte, nxjerr në pah “metodat shtrënguese” të sheikut nga Katari. “Shantazhi, abuzimi dhe sekretet në USB, bosi i PSG-së në zemër të një skandali”, – titullohet shkrimi përkatës.

E përditshmja publikon një investigim të gjerë mbi metodat e punës së Naser al-Khelaïfit, që përfshin kërcënime me vdekje, dokumente konfidenciale dhe raste torture. Ky investigim shpjegon se një sipërmarrës franko-algjerian "Tayeb B", 41 vjeç, u arrestua në Doha në fillim të vitit 2020.

I burgosur në Katar për nëntë muaj, burri thuhet se mbante disa dokumente konfidenciale mbi jetën private dhe profesionale të presidentit të PSG-së dhe rrethit të tij në Katar, duke përfshirë prova shtesë për korrupsionin e pretenduar të Katarit për fitimin e Kupës së Botës së ardhshme (20 nëntor-18 dhjetor).

Sipas një burimi të afërt me këto hetime të cilësuara si ultra të ndjeshme, viktima “Tayeb B” kishte kërkuar të fitonte para nga dokumentet që posedonte. Megjithatë, shteti i Katarit dëshironte të sigurohej se këto dokumente konfidenciale të mos dilnin kurrë dhe kështu të dëmtonin reputacionin dhe statusin e Nasser al-Khelaïfi, i afërt me Emirin Tamim ben Hamad Al Thani.

I lindur në Gennevilliers më 1981, "Tayeb B" përshkruhet si "sipërmarrës i madh me një rrjet të gjerë", i cili do të drejtonte jo më pak se 15 kompani. Ai ishte vendosur në Doha të Katarit me familjen e tij që nga viti 2019.

Franko-algjeriani, i cili investon në Gjirin Persik dhe Afrikë, pretendon se është takuar me Nasser al-Khelaïfi në vitin 2017 përmes aktiviteteve të tij shoqëruese të kryera në Ile-de-France, në të cilat merrnin pjesë edhe PSG e beIN Sports, të kryesuar nga sheiku nga Katari.

Për të liruar të shoqin, gruaja e “Tayeb B” vazhdoi të udhëtonte mes Katarit dhe Algjerisë, ndërsa bashkëshorti i saj transferohet në burgun e rrugës Salwa, ku vendoset në izolim total, në kushte çnjerëzore, sipas historisë së gjatë të lirimit.

Misioni i gruas së tij është të dorëzojë "një valixhe të kuqe" në Katar, që përmbante një numër të madh dokumentesh konfidenciale dhe informacione dixhitale, si dhe të kontaktojë policinë franceze.

Me këshillën e Yamina Benguigui, ish-ministre e deleguar për Frankofoninë në qeverinë e Jean-Marc Ayrault, gruaja e “Tayeb B” takohet me Rachida Datin, e cila do ta drejtojë atë në kabinetin e Olivier Prado.

Diskutimet dhe negociatat e gjata, sipas “Liberation”, u zhvilluan më pas me avokatët e Nasser al-Khelaïfi, të cilët synonin t’i kthenin të gjitha materialet me USB në Katar. Më 15 qershor, dy dosje u dorëzuan përpara një të trete më 1 korrik, duke çuar në lirimin e “Tayeb B”.

“Liberation” shkruan se ndaj biznesmenit franko-alegjerianit është ushtruar presion i madh psikologjik, teksa u lirua nga burgu vetëm pasi dorëzoi materialet komprometuese në bazë të një marrëveshjeje konfidenciale me avokatët e kreut të kampionëve të Francës.