Transmetuar më 01-10-2022, 14:36

Derbi i parë sezonal i kryeqytetit do të luhet nesër, prej orës 19:00, në "Arena Kombëtare”. Pritës janë të kuqtë, të cilët do të kenë punë me kampionët në fuqi. Si përherë, Partizani-Tirana ngërthen interesin maksimal të të dyja tifozërive përkatëse, por jo vetëm.

Trajneri italian i “demave të kuq” Giovanni Colella ka dalë në konferencë për shtyp sot dhe ka nënvizuar mes të tjerash, duke bërë prognozën e syupersfidës ndaj Tiranës: Nuk është derbi i parë që luaj në karrierë, kam luajtur disa dhjetra të tillë, por sigurisht emocionet e derbit të parë të Tiranës janë prezente".

Skuadra – "Jam i kënaqur me formën fizike të skuadrës. Nuk jemi në 100%, sepse kemi patur disa probleme, por gjithsesi skuadra është mirë. Mendoj se në një ndeshje të tillë e rëndësishme është të jemi lart psikologjikisht. Nëse nuk do të kisha prej ditësh idenë se cilët lojtarë do të hedh në fushë ditën e diel, nuk do të bëja këtë profesion, por një tjetër punë".

Formacioni – "Nuk do ta tregoj asnjëherë formacionin. Edhe lojtarët vetë nuk e dinë formacionin. Jam unë i pari që flas dhe ua komunikoj formacionin lojtarëve, kjo është normale. Partizani tashmë ka një mënyrë loje dhe nuk mendoj se do të ndryshojmë taktikisht".

Derbi nuk luhet, por fitohet – "E njëjta gjë është edhe në Itali për ndeshjet derbi.  Në një ndeshje derbi nuk ka të bëjë aspak pozicioni i skuadrave në klasifikim, në lojë janë të tria rezultatet".

Tirana – "Jo vetëm Tiranën, por të gjithë kundërshtarët që kemi përballë i analizojmë javë pas jave. Nuk dua t’iu krijoj idenë lojtarëve se përballja me Tiranën do të ketë analizë specifike dhe me ekipet e tjera jo, ndaj i përgatisim ndeshjet gjithmonë njësoj. Mendoj se Tirana është një skuadër mjaft e mirë, gjë të cilën e ka demostruar me rezultatet e fundit. Nesër do të jetë një ndeshje e bukur".

Stadiumi dhe atmosfera e derbit në “Arena Kombëtare” – "Kur e kam parë për herë të parë stadiumin jam surprizuar. Për mua është stadiumi më i bukur që mund të kem parë përgjatë 20 viteve të fundit. Në fillim uroj të jenë dy skuadrat në fushë, ato që do ta nderojnë këtë eveniment sportiv, këtë stadium dhe sigurisht edhe tifozët që do të jenë prezent në këtë ndeshje".

Fati i derbit – "Nuk kam asnjë ndrojtje apo frikë për rezultatin që do të prodhojë derbi. Kam gjithmonë shumë respekt për kundërshtarët, por aspak frikë. Nuk mund ta mohoj që i ndiej emocionet e një ndeshjeje të tillë kaq të rëndësishme, por është kënaqësi të luash një derbi. Unë e ushtroj këtë profesion për të luajtur pikërisht ndeshje të tilla, puna ime mbi të gjitha është pasion".

Fitorja në derbi – "Unë punoj për këtë dhe shpresoj ta ndryshojmë këtë trend në favorin tonë. E shkuara e derbit? Jo, nuk e kam ndjekur. Kam parë vetëm ndeshjet e fundit të Tiranës. Kam parë disa fragmente të takimeve derbi, më shumë për të kuptuar atmosferën që prodhon derbi i Tiranës".

Orges Shehi – "Për mendimin tim është një trajner shumë inteligjent, sepse sezonin e kaluar i shfrytëzoi në maksimum karakteristikat e lojtarëve që kishte në dispozicion. Mendoj se kjo është një aftësi shumë e madhe për një trajner. Nuk mendoj se një trajner duhet të improvizojë, por të jetë i zoti t’i marrë maksimumin grupit. Trajneri Shehi është mjaft i zoti".

Seferi – "Lojtarët ikin dhe vijnë, ajo që mbetet është klubi dhe skuadra. Nga sa kam parë, Tirana e ka zëvendësuar më së miri Seferin. Konstatoj se Tirana mbetet një skuadër shumë kompetitive”.