Transmetuar më 02-10-2022, 07:35

Indonezi- Të paktën 129 persona kanë vdekur dhe 180 të tjerë janë plagosur, thotë policia, pasi kaosi dhe dhuna shpërtheu mbrëmjen e djeshme pas një ndeshje futbolli në ligën indoneziane midis dy skuadrave më të mëdha të vendit, përcjell noa.al.

Mbështetësit e Arema FC dhe rivalja Persebaya Surabaya u përleshën pasi ekipi vendas Arema FC u mund 3-2 në një ndeshje në qytetin Malang.

Mbështetësit nga ekipi humbës kishin "pushtuar" fushën dhe policia hodhi gaz lotsjellës, duke shkaktuar një rrëmujë që çoi në raste mbytjeje, tha shefi i policisë gjatë një konference për shtyp pas ngjarjes.

Dy oficerë policie ishin mes të vdekurve dhe 180 persona u plagosën gjithashtu, tha shefi i policisë, duke shtuar se përplasja ndodhi kur tifozët u larguan për në portën e daljes.

Videot e filmuara nga brenda në stadium deri në orët e vona të natës dhe të shpërndara në rrjetet sociale treguan tifozët, të veshur kuq dhe blu, duke u futur në fushë dhe duke u përleshur me forcat indoneziane të sigurisë, të cilët dukeshin të veshur me veshje për protestat.

Paniku pas aksioneve të policisë la mbi 100 të vdekur, kryesisht të shkelur deri në vdekje, tha policia të dielën.

Ashpërsia e lëndimeve të tyre mbeti e paqartë. Zyrtarët thanë se shumë prej tyre kishin shkuar në spitalet aty pranë, duke vuajtur nga "mungesa e oksigjenit dhe gulçimi".

Sipas policisë vendase, kur Arema FC humbi 2-3 në ndeshjen kundër Persebaya Surabaya, mbështetësit e tyre u futën në fushë të zemëruar.

Ministri i Sportit dhe Rinisë Zainudin Amali tha se ai ka kërkuar një hetim të plotë mbi tragjedinë për të "përcaktuar palët përgjegjëse". (noa.al/M.D)