Transmetuar më 02-10-2022, 21:05

VATIKAN, 2 tetor 2022 – Papa Françesku për herë të parë iu lut drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë "spiralën e dhunës dhe vdekjes" në Ukrainë, duke thënë të dielën se kriza po rrezikon një përshkallëzim bërthamor me pasoja të pakontrollueshme globale.

Në një fjalim kushtuar Ukrainës dhe drejtuar mijëra njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku dënoi gjithashtu aneksimin e fundit të Putinit të pjesëve të Ukrainës si veprim kundër ligjit ndërkombëtar.

Ai i kërkoi Putinit të mendojë për njerëzit e tij në rast të një përshkallëzimi.

Një zyrtar i Vatikanit tha se fjalimi i pasionuar ishte aq i zymtë sa të kujtonte një thirrje paqeje radiofonike nga Papa Gjon XXIII në vitin 1962 gjatë krizës së raketave kubane.

Ishte hera e parë që Françesku, i cili shpesh e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, vdekjet dhe shkatërrimin që ka shkaktuar, i bën një thirrje të drejtpërdrejtë personale Putinit.

Duke thënë se ai ishte i përhumbur nga "lumenj gjaku dhe lot që janë derdhur në këto muaj", Françesku i bëri thirrje gjithashtu presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy të jetë i hapur ndaj çdo "propozimi serioz për paqe".

Ai bëri një apel urgjent "në emër të Zotit" për t’i dhënë fund konfliktit dhe tha se është "absurde" që bota po rrezikon një konflikt bërthamor.

“Apeli im i shkon mbi të gjitha presidentit të Federatës Ruse, duke e lutur që të ndalojë këtë spirale dhune dhe vdekjeje, qoftë edhe nga dashuria për popullin e tij”, tha Françesku, citon noa.al.

“Nga ana tjetër, i dhembur nga vuajtjet e mëdha të popullsisë ukrainase pas agresionit që pësoi, unë i drejtoj një thirrje po aq shpresëdhënëse presidentit të Ukrainës që të jetë i hapur ndaj një propozimi serioz për paqen”, tha ai. /noa.al