Transmetuar më 03-10-2022, 10:41

Irani ka në gatishmëri dronë të pagjurmueshëm që mund të përdoren për të goditur kampin e muxhahidinëve në Shqipëri. Këtë fakt e publikoi media iraniane Iran Front Page, citon noa.al.

Ajo thotë se vendi posedon dronë pa pilotë (UAV) që shmangin radarët, të cilat mund t’i përdorë për të goditur bazën e MEK në Shqipëri. IFP publikoi dhe këtë pamje të dronëve.

“Kapacitetet e dronëve dhe raketave të Iranit nuk janë të kufizuara në zonën gjeografike të vendeve fqinje, përkundrazi, Irani gëzon aq shumë aftësi në sektorin e hapësirës ajrore, veçanërisht në fushën e dronëve, saqë mund të synojë lehtësisht bazën e MEK në Shqipëri”, shkruan IFP.

“Irani ka dronë të fshehtë vetëvrasës dhe luftarakë që mund të udhëtojnë përtej distancës midis Iranit dhe Shqipërisë dhe të godasin objektivin”, shtoi media iranaiane.

Sakaq Ministria e Inteligjencës e Iranit, ka theksuar rolin e MEK në trazirat e fundit në disa qytete iraniane.

Ministria njoftoi se disa nga protestuesit e arrestuar janë anëtarë të opozitës iraniane MEK.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, kur një grup terrorist rrezikon haptazi sigurinë e një vendi dhe pranon haptazi veprimet e tij, ai vend ka të drejtën legjitime të synojë bazën dhe anëtarët e atij grupi, saktësisht e ngjashme me atë që ndodhi në rajonin verior të Irakut kundër grupeve terroriste të stacionuara atje, apo asaj çfarë ndodhi kundër grupit terrorist ISIS në Siri”, vuri në dukje media iraniane.

Në këtë pikë, shkruan IFP, Irani rezervon të drejtën, për shkak të “akteve terroriste” të MEK, të synojë bazën e tyre që ndodhet në Manzë të Durrësit.

Këto kërcënime të Iranit vijnë pas sulmeve kibernetike duke cenuar sigurinë e Shqipërisë dhe prishjes së marrëdhënieve diplomatike që Shqipëria ndërmori si pasojë e veprimeve armiqësore të Iranit.

Grupi i cilësuar terrorist, MEK (MKO), u detyrua të largohej nga Iraku në vitin 2016 pasi, sipas Teheranit zyrtar, "u përball me kundërshtimin e qeverisë dhe popullit irakian dhe u vendos në Shqipëri siç ishte planifikuar nga SHBA". /noa.al