Transmetuar më 03-10-2022, 12:27

Në kushtet kur qeveria po luan ngriva-shkriva me pesëfishimin e çmimit të energjisë elektrike pasi ka vënë fashë 800 kwh ndaj familjeve, shumë njerëz po përpiqen të mos dërrmohen nga rritja e frikshme dhe të kërkojnë mënyra kursimi.

Një mundësi kursimi deri në 20 për qind të faturës mujore është paneli diellor që shërben vetëm për ngrohjen e ujit në bolierët e banesave.

Në treg, çmimet luhaten nga 700 deri në 1500 euro. Qeveria ka shpallur një program subvencioni për 2 mijë familje që do të përzgjidhen përmes aplikimeve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të ofrohet 70 për qind subvencion për shumën deri në 336 milionë lekë.

Deri në 18 tetor të gjitha subjektet tregtuese duhet të paraqesin dokumentacionin pranë Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Në kriteret e përcaktuara është vendosur që subjektet nuk duhet të kalojnë në ofertë vlerën 140,000 Lek (pa TVSH) duke përfshirë dhe kostot e transportit e instalimit.

Subjektet duhet të angazhohen se do të pranojnë vetëm 30% të financimit nga abonentët familjarë dhe 70% të investimit nga Agjencia për Eficencën e Energjisë pas instalimit të panelit diellor.

Kështu, një familje aplikuesve që fiton, do të duhet të paguajë 50 mijë e 400 lekë për një panel diellor, raporton noa.al.

Gjithsesi afati i dhënë është deri më 30 janar 2023 që do të thotë se një familje do të duhet të presë deri në këtë afat 15 mujor.

Qytetarët do të mund të aplikojnë duke nisur nga data 1 nëntor 2022 sipas parimit “i pari që aplikon, shërbehet i pari”. Do të ketë një aplikacion elektronik ku qytetari do të shikojë se i sati është në aplikim. /noa.al