Transmetuar më 03-10-2022, 12:56

Qeveria ka marrë një vendim që rrit me 300 milionë lekë, shumën që akordon për kompaninë Laboratory Network, për kontratën koncesionare të laboratorëve të analizave mjekësore. Kjo kontratë është në vitin e tretë të saj dhe është fituar nga kompania e ngritur për këtë qëllim më 2019, raporton noa.al.

Vendimi, u publikua në Fletoren Zyrtare dhe përcakton se për vitin 2022, financimi për kompaninë “Laboratory Network” arrin në mbi 1.6 miliardë lekë këtë vit nga shuma 1.3 miliardë lekë që ishte projektuar në buxhetin fillestar të vitit në vazhdim.

Kjo kontratë koncesionin që qeveria e quan partneritet publik-privat, vazhdon deri në vitin 2028 me financim 13 miliardë lekë pa përfshirë tvsh.

Sipas kontratës, qeveria i jep kësaj kompanie 1.3 miliardë lekë çdo vit, shumë që për 2022 u rrit me 300 milionë lekë.

E ndërsa qeveria ka rritur financimin, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania rezulton me 19 për qind normë fitimi që është rreth 2 herë më e lartë se norma në tregun shqiptar.

Bilanci që kompania ka dorëzuar në QKB evidenton se të ardhurat e saj ishin 1.3 miliardë më 2021, me fitim para taksave, 233 milionë lekë. /noa.al

Foto ilustruese