Transmetuar më 04-10-2022, 09:17

USA- Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paditur gjigantin informativ CNN për shpifje.

Trump i kërkon CNN 475 milionë dollarë dëmshpërblim.

Në padinë e ngritur në gjykatën federale në Florida, ish-presidenti pretendon se rrjeti amerikan i lajmeve ka përshkallëzuar kohët e fundit një fushatë shpifjeje kundër tij.

CNN është përpjekur të njollosë Trumpin “me një seri etiketimesh gjithnjë e më të ashpra, të rreme dhe shpifëse, duke përfshirë “racist”, “kryengritës” dhe së fundmi “Hitler”, sipas avokatëve të ish-presidentit.

Trump pretendoi se CNN kishte përdorur ndikimin e saj të konsiderueshëm si një organizatë kryesore e lajmeve për ta mposhtur atë politikisht.

Pas kësaj padie, CNN nuk pranoi të komentojë mbi rastin, shkruan ‘The Guardian’.

Padia vjen pasi ish-presidenti 76-vjeçar përballet me probleme të konsiderueshme ligjore , duke përfshirë një hetim penal nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) për ruajtjen e të dhënave qeveritare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida pas largimit nga detyra në janar 2021.