Transmetuar më 04-10-2022, 10:45

Ish-ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, tashmë ushtrues i profesionit të avokatit, ka njoftuar sot triumfin e tij në Strasbourg. Më konkretisht, i është dhënë e drejta (gjyqësore) klientit të tij, prokurorit Besnik Cani. Ky i fundit ishte shkarkuar nga organet e vetingut (KPA) pasi ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), por nuk u dorëzua, e dërgoi çështjen e vet deri në gjykatat europiane. Ja njoftimi i Halimit për këtë rast:

– Strasbourgu i jep të drejtë prokurorit Besnik Cani! Një vendim drejtësie! Një lajm i mirë për reformën në drejtësi, gjyqtarët e prokurorët e ndershëm e të përkushtuar!

– Për Besnikun, prokuror prej 25 vjetësh dhe bashkëshorten e tij, mjeken Liri, që jetojnë në një apartament modest në Laprakë, dy djemtë e tij studentë, ky është padyshim një i vendim i jashtëzakonshëm që rivendos dinjitetin dhe integritetin e humbur padrejtësisht pas një pune e përkushtimi të gjatë!

– Për ne, mua dhe skuadrën time të avokatëve të talentuar, është një fitore e rëndësishme, që nga përzgjedhja e çështjes si udhëheqëse (duke lënë pas 100% të kërkesave të bëra nga qindra gjyqtarë, prokurorë, avokatë, e studio ndërkombëtare ligjore të famshme në Europë) e deri në betejën në gjykim dhe sigurisht në fitoren përfundimtare të sotmen!

– Për reformën në drejtësi, gjyqtarët e prokurorët e ndershëm, ky është një lajm i shkëlqyer! Nuk ka dyshim se reforma në drejtësi u nis me një qëllim të mirë që bëri 140 deputetët (dhe mua) ta miratonin në 2016, por planifikimi dhe zbatimi i saj u bënë jo mirë e madje keq në shumë raste!

– Vendimi i sotëm jep shembullin e mirë se nëse zbatimi i ligjeve krijon probleme, ato mund të korigjohen, se nëse gabimisht gjyqtarë e prokurorë të ndershëm janë larguar, ky gabim mund te korigjohet! Dhe ky është padyshim një lajm i mirë për drejtësinë, për gjyqtarët e prokurorët e ndershëm në këtë vend, dhe një motivim në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të sistemit të drejtësisë!

– Urime Besnik për rikthimin e dinjitetit dhe suksese në punën në vijim! Suksese dhe faleminderit skuadrës sime të shkëlqyer të avokatëve që më mbështetën në këtë proçes të gjatë!

– Vlerësim për avokatët e shtetit që përfaqësuan Shqipërinë, me profesionalizëm e korektësi në respekt të rregullave të ECHR Strasbourg!”

Kujtojmë se në shkurt 20220, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Vendim i cili u motivua me mungesën e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë dhe cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupës gjykuese, Rezarta Schuetz përballë një tavoline të lënë bosh nga Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi. Në arsyetim, Kolegji iu dha të drejtë pothuajse të gjitha pikave të ankimit të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, ndërsa e cilësoi vendimin e shkallës së parë të vetingut për konfirmimin e Besnik Canit të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.

Kolegji evidentoi mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti si dhe kursimet e deklaruara për vitet 2005-2006 nga Cani. I njëjti përfundim u arrit edhe për mbulimin e shpenzimeve për vitet 2010-2015.

Lidhur me blerjen e një sipërfaqeje trualli në Paskuqan, një automjeti të markës “Benz” dhe një garazhi pa deklaruar burimin e krijimit, Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut edhe në kriterin e profesionalizimit, përmes lidhjes së një kontrate me kompaninë “Kastrati” për ndërtimin e një karburanti dhe një njësie shërbimi mbi truallin e tij në Paskuqan, përfshirjes në mënyrë të padrejtë të bashkëshortes së tij në listën e kredive të buta në Fier si dhe në pushimin e një procedimi penal në vitin 2006.

Sa i përket kontratës me “Kastratin”, Kolegji argumentoi se prokurori Cani “nuk mund të gëzojë besimin se mund të ushtrojë në mënyrë të pavarur funksionin e tij”. Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 4 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Vendimi u kritikua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas Komisioneri Publik, të cilët evidentuan se KPK kishte hequr dorë nga funksioni për rivlerësimin e subjektit.