Transmetuar më 05-10-2022, 09:36

Më 10 shtator, Cristiano Ronaldo ngarkoi një foto së bashku me Jordan Peterson, psikologun e famshëm, gjë që shkaktoi polemika për shkak të konsideratës popullore të terapistit, të cilin e quajnë një "propagandist të krahut të djathtë".

Mirëpo, te tifozët kishte një tjetër të panjohur: a vuan portugezi nga depresioni? Ka qenë vetë profesionisti i shëndetit mendor që ka zbuluar detaje nga takimi me lojtarin e Manchester United. Është një sezon i vështirë për Cristiano Ronaldon.

Me pak pjesëmarrje te Manchester United, me rezultate të dobëta në kombëtaren e Portugalisë dhe me Botërorin në Katar përpara, pesë herë fituesi i "Topit të Artë" duket se ka kërkuar ndihmë profesionale.

Kësaj i shtohet fakti se më 18 prill ka ndërruar jetë një prej binjakëve që priste me Georgina Rodríguez, në të njëjtën kohë që lajmëruan ardhjen në jetë të një vajze. Dhe secili nga këto aspekte ka ndikuar në gjendjen e tij emocionale.

Vetë ylli portugez publikoi një foto me Jordan Peterson, psikolog i njohur, duke lënë të kuptohet se ka pasur nevojë për asistencën e tij mjekësore. Peterson u intervistua në programin e Piers Morgan dhe zbuloi detaje nga takimi me CR7.

“Ai ka pasur disa probleme në jetën e tij pak muaj më parë. Një mik i tij i dërgoi disa nga videot e mia. Ai i pa ato, pastaj lexoi një nga librat e mi, e pa të dobishëm takimin dhe donte të fliste. Shkova në shtëpinë e tij dhe biseduam rreth dy orë.

Mbi të gjitha folëm për atë që donte në të ardhmen dhe disa nga pengesat me të cilat po përballet. Cristiano Ronaldo është në depresion, njerëzit duhet të jenë më të qetë dhe të kenë kujdes me të. Edhe ai është njeri, njësoj sikur ne. Që nga vdekja e djalit të tij të sapolindur ai nuk ka qenë më në gjendje të mirë mendore", – tha ai pa e thyer më tej sekretin profesional.