Transmetuar më 04-10-2022, 14:43

Tiranë- Robert Aliaj njihet për veshjen e tij ekstravagante dhe stilin e jetës. Ai ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Wake Up” për të komentuar trendin më të fundit të burrave të famshëm, të cilët janë shfaqur në publik të veshur me funde ose fustane.

Aliaj, është cilësuar shpeshherë si artisti kontrovers dhe madje është vendosur herë pas here në qendër të vëmendjes për shkak të veshjes së tij të veçantë. Por jo vetëm kaq, pasi është shfaqur edhe me thonjtë të lyer.

E kur flitet për një stil të tillë, vështirë të themi se kemi parë meshkuj në Shqipëri me kujdesin ndryshe për pamjen e jashtme, siç bën ai.

Ndërsa teksa fliste në “Wake Up” për fenomenin e ri në botën e modës, veshja e fundeve nga djemtë dhe burrat, Roberti tha se ai ka 12 vite që vesh fund.

Duke nënvizuar se edhe fustanella që është veshje tradicionale shqiptare është shumë femërore, artisti tha se nuk sheh asnjë problem në veshjen e fundeve nga meshkujt.

“Kam të paktën 12 vite që vesh funde. Kam dalë në rrugë. Kam veshur edhe fustan që e kam pasur të përditshmërisë sime. Dhe u bë e zakonshme që të më shikojë ashtu. Paragjykimet nuk më bëjnë përshtypje, madje më motivojnë. Sepse më shkëpusin nga e përditshmja dhe nga llumi në fund të fundit. Nuk kam respekt për njerëzit pa stil. A ka gjë më femërore se fustanella, me pala me të gjitha? Kështu janë fundet e grave. Kurse fundet që përdoren nga meshkujt sot kanë gjithsesi një prerje me të ngushtë, më të thjesht, më minimale. Nuk ka asgjë të keqe.”-tha ai.