Transmetuar më 05-10-2022, 08:16

Nga Ylli Manjani

Për të qenë parimisht korrekt dhe në emër të gjithçka kam artikuluar më parë, me dizenjimin e mundshëm të Edi Ramës si persona nongrata nga SHBA, njësoj si Kryeministri i Bosnjes, NUK do të pajtohesha kurrë.

Le të jetë Edi Rama i dizenuari, parimi vlen njësoj për të gjithë.

Siç kam argumentuar edhe më parë, përcaktimi grata apo nongrata i politikanëve të një shteti nga një shtet tjetër nuk bëhet për çështje ligji, por për çështje qejfi politik.

Në rastin konkret, përgjigja e pyetjes, që shumë e bëjnë sot, përse Rama nuk shpallet nongrata si homologu i Bosnjes, ka vetëm një përgjigje:

Kështu i do qejfi politikës Amerikane.

Pra s’ka asnjë kriter tjetër përveç qejfit që e aplikojnë rast pas rasti.

Së dyti, nuk kam qenë e as jam përkrahës i sanksionimit politik të udhëheqësve politikë nga një shtet i huaj, sepse jam mbështetës i ndëshkimit ligjor dhe politik në vendin ku politikanët drejtojnë.

Pra Edi Ramën duhet ta ndëshkojnë institucionet tona dhe, në mos ata populli shqiptar me votë. Idealisht duhet ta ndëshkojë edhe ligji edhe populli i vet. Por, atë që se bëjmë dot vetë smund ta bëjë qejfi politik i një shteti tjetër. Përndryshe kjo quhet rrumpallhane.

Politikanët i zgjedhim vetë e duhet ti heqim vetë. Ky është rregulli. Përsa kohë i mbajmë aty ku janë, smund tja kërkojmë një shteti tjetër të na i heqë!

Së treti, një shtet e vendos vetë kë pranon e kë jo të hyjë në territorin e tij, por nuk ka asnjë të drejtë të damkosë shtetas të një shteti tjetër, të cilët nuk kanë shkelur asnjë ligj të atij shteti që i refuzon hyrjen.

Damkosja është cënim i rëndë i dinjitetit njerëzor dhe këtë mësim e kemi mësuar më shumti nga vetë Amerika.

Ndaj, nuk pajtohem aspak me të gjithë ata që i kërkojnë trajtim të barabartë politikës Amerikane, në vend të kërkojnë barazi para ligjit në politikën e Republikën tonë.

Nëse politikës Amerikane do i vinte qejfi që të trajtonte edhe Ramën si Kryeministrin e Bosnjes, personalisht do vendosesha në mbrojtje të dinjitetit të Ramës dhe jo të qejfit të politikës së ditës së Amerikës.

Ashtu siç nuk mbroj asnjë sekond askënd që nuk lejohet të hyjë në shtetin tjetër sepse aty ka kryer një krim.

*** Kushdo që këto rrjeshta i lexon si mbrotje të Edi Ramës, i sugjeroj ta kuptojë këtë llogjikë si parim. Në të kundërt, e rujt Zoti!

* Qëndrimet e autorit janë personale dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA