Transmetuar më 10-10-2022, 18:28

Skenaristi i serialit hit "Borgen" thotë se tema kryesore në sezonin e fundit të serialit – ana më e errët e mbajtjes së pushtetit – u frymëzua nga kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, e cila është kritikuar për centralizimin e autoritetit.

Kjo çështje është bërë e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme në të cilat danezët do të gjykojnë udhëheqjen e Frederiksen gjatë tre viteve kaotike, të rrënuar nga një pandemi, lufta dhe trazira ekonomike.

Skenarist dhe shef i njohur televiziv në Danimarkë, Adam Price ka fituar vlerësim ndërkombëtar për "Borgen", i cili u rikthye për sezonin e tij të katërt këtë vit, duke përshkruar përvojat e ligjvënëses veterane Birgitte Nyborg, të luajtur nga Sidse Babett Knudsen.

Seriali, veçanërisht i popullarizuar në mesin e britanikëve me një afinitet për zhanrin Nordic Noir, shpesh i ka lënë danezët të hutuar për aftësinë e tij për të paralajmëruar zhvillimet politike në Danimarkë, duke përfshirë zgjedhjen e kryeministres së parë femër të vendit.

Në sezonin e katërt, rikthim pas 10 vitesh, i cili u transmetua në shkurt, Nyborg evoluoi në një personazh më të errët të përqendruar në kapjen e pushtetit, duke tërhequr paralele me Frederiksen e cila ka autoritet të centralizuar rreth zyrës së saj.

“Natyrisht, ne frymëzohemi edhe nga elementë të karakterit të kryeministrit tonë aktual”, tha Price, duke shtuar se karakteri i Nyborg është ndikuar edhe nga shumë personalitete të tjera politike aktuale dhe të mëparshme.

Kritikët thonë se lidershipi i Frederiksen nga lart-poshtë ishte pjesërisht fajtor për urdhrin e nxituar dhe të paligjshëm për të zhdukur të gjithë vizonët në vend gjatë pandemisë së koronavirusit, një skandal që mund të dëmtojë shanset e saj për të marrë një mandat tjetër. Kafshët e vogla u tha se infektoheshin nga koronavirusi dhe pësonin mutacion duke infektuar njerëzit. Nisur nga kjo u vranë 17 milionë kafshë të tilla.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen flet gjatë një konference shtypi përpara Marienborg në Kopenhagë, Danimarkë, 5 tetor 2022. Ritzau Scanpix/nëpërmjet REUTERS

Nëse Birgitte Nyborg do të rikthehet për një sezon të pestë nuk varet nga Price, tha ai, por një seri e re e mundshme mund ta çojë atë në Bruksel dhe qendrën e pushtetit të Bashkimit Evropian.

"Jam i sigurt se shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar do ta shijonin këtë, veçanërisht nëse ne nuk do të ishim shumë miqësorë me Brukselin," tha Price.