Transmetuar më 12-10-2022, 09:35

Ne jemi mbledhur të gjithë buzë Lanës dhe aty i hamë shpirtin, i marrin frymën, i hamë bukën njëri-tjetrit dhe ndërkohë të gjitha pasuritë e mëdha shqiptare i kemi lënë në dorë të ujqërve të malit, të gjarpërinjve, të sorrave, pa përdorim!

Grumbullimi ynë si minjtë buzë Lanës na lë pa punë, krijon papunësi, krim, ndotje, gjithçka të keqe. Tani, pse ndodh? Kujdes, lexoni po patët mundësi ekonomistin e madh anglez Rikardo për ta kuptuar. Nëse nuk studion historinë, sigurisht që flet në havà!

Nuk është mirë të flasim në havà. Kujdes! Janë interesa të mëdha në lojë. E para industria lubi e ndërtimit, e cila do që mundësisht të gjithë shqiptarët nga janë e nuk janë të lënë shtëpi e katandi dhe të mblidhen mundësisht në dy a tri lagje të Tiranës, në kulla pesëqind katëshe, sepse shesin apartamentet.

Mbushin xhepat duke shkatërruar ekonominë urbane, pra jetën tonë. Por nuk janë vetëm interesat e industrisë të ndërtimit, sikurse thekson Rikardo në kohën e vet, por edhe grosistët. Tregtarët e mëdhenj nuk duan prodhim vendas, as naftë, as presh, as brekë për fëmijë. Duan t’i sjellin nga jashtë, sepse aty fitojnë.

Prandaj duan që shqiptarët t’i ikën krijimit të vlerave të punës, të mblidhen në dy zona urbane dhe aty mos kenë kosto të lartë strukturat e shitjeve të mallit. Ikni mo, do bëni domate ju, domatet i sjell unë! Kujdes! Nuk janë vetëm këta që duhen vendosur në zap.

Janë edhe banka të ndryshme të cilat japin kredi për ata që janë në këto zona urbane dhe jo nëpër fusha e male, sepse këtu i kanë nën kontroll huamarrësit dhe kanë më tepër siguri që iu kthehen interesat! Shikoni pak cilët janë huamarrësit më të mëdhenj. Në Tiranë gjenden, ata që kanë biznese monopol.

Priiiiisni, nuk mbaron me kaq thotë Rikardo. Janë edhe politikanët, pushtetarët, nëpunësit e korruptuar, sepse këta marrin para korruptive nga bizneset për të mos zhvilluar prodhimin, por vetëm tregtinë dhe shërbimet.

Pra, ne mblidhemi si minjtë në Tiranë. Tirana shkatërron ekonominë kombëtare, sepse mblidhen njerëz që nuk kanë asnjë rendiment pune. Niveli i jetës dhe i rendimentit, pagat shkojnë në minimum. Fitojnë ata aktorë shoqërorë që përmenda. Fatkeqësia jonë është themeli i pasurimit të tyre dhe i korrupsionit qeveritar.

Duke i mbledhur njerëzit në Tiranë, edhe votat mblidhen më kollaj, edhe propaganda bëhet më kollaj, edhe kontrolli i patronazhistëve bëhet fare i lehtë. Pa u shpërbërë ky model, duke hequr kontrollin ndaj shoqërisë nga lobitë monopoliste financiare, as mos prisni asgjë të mirë.

Jo ky hajdut, jo ti non grata, jo ti spiun, jo ti majmun, janë të gjitha kot. Demi kapet për brirësh, ndryshe do të shkojmë direkt, siç e kam thënë, në vitin 2050 kështu si jemi. Shekulli po mbaron.