Transmetuar më 17-10-2022, 21:34

Qeveria është vënë në lëvizje pasi kuptoi se greva e sindikatës së universiteteve nuk ka në plan të ndërpritet pa realizim konkret të kërkesave dhe thirri sonte në takim rektorët e arsimit të lartë publik, raporton noa.al.

Në mbledhjen e zhvilluar sonte ora 18.15 në kryeministri kanë marrë pjesë Edi Rama, ministrja e Arsimit Evis Kushi, ministra të tjerë të qeverisë dhe rektorët e universiteteve.

Kjo mbledhje nuk u bë publike pasi siç mëson noa.al, qeveria ka vendosur ta publikojë atë vetëm nesër gjatë ditës duke e transmetuar në rrjetet sociale të Ramës dhe Kushit.

Zyrtarisht nuk është e qartë se çfarë është vendosur në këtë mbledhje.

Ajo që dihet është se sindikata ka ndërprerë mësimin dhe është në protesta ku marrin pjesë gjysma e pedagogëve.

Gjysma tjetër, kryesisht ata pranë Partisë Socialiste po vazhdojnë mësimin, por një gjendje e tillë shkakton edhe më shumë kaos.

Pedagogët, kërkojnë nga qeveria 30 për qind rritje page tani dhe 20 për qind vitin tjetër.

Rama u foli me përçmim pedagogëve duke u premtuar se nuk merret me ultimatume. Më pas ai njoftoi rritje page 7 për qind. Po ashtu ofroi lejimin e universiteteve të rrisin pagat e pedagogëve edhe deri në 8 për qind më shumë, por me fondet e tyre.

Vetë universitetet më së shumti ankohen për lekë duke thënë se nuk kanë as për letra e bojë./noa.al