Transmetuar më 20-10-2022, 08:55

Arsyet përse Leart Kurti u ndalua nga policia në mbrëmje kur donte dhe një orë të afrohej mesnata, janë të paqarta. Ajo që thuhet zyrtarisht është se rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit.

Kur patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, djali 32 vjeçar Leart Kurti duket se është panikosur – arsyeja është e paqartë – dhe është larguar me vrap.

Punonjësit e policisë janë sulur duke u vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se këta policë, kanë kryer më pas edhe shoqërimin e Leartit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Këtu ka nisur fundi i jetës së të riut. Por arsyet, nuk i di as Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e cila thotë: "Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit".

AMP thotë se është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës.

Leart Kurti

Se çfarë ka ndodhur në këtë komisariat me të riun kjo nuk dihet dhe nëse ka pasur kamera aktive atje, as kjo nuk është e qartë. Ajo që pranohet nga AMP është se policët kur kanë parë se i riu po u vdiste në komisariat, nuk kanë pritur ambulancën për e kanë futur në makinë për ta çuar në spital ku vdiq menjëherë:

"Për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë".

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, thotë se nuk është e qartë për atë që ka ndodhur, ndaj një grup hetimor ku përfshihet edhe prokuroria po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Ky është një rast i përsëritur i të ndaluarve që vdesin me t’u futur në komisariate. Më flagrant akoma ishte rasti i djalit që u vra nga polici kur kërkoi ta ndalojë për verifikim se kishte shkelur shtetrrethimin gjatë pandemisë.

Komisariati Nr 3 në Tiranë nuk është i panjohur për publikun. Më 22 maj 2022 aty ndodhi një vrasje me armë zjarri. Çaush Saliasi (shërbente prej 20 vjetësh) u vra nga kolegu i tij Ludian Zajmi (shërbente prej një viti) gjatë ndërrimit të shërbimit.

Ky është komisariat, nga më të rëndësishmit ne kryeqytet pasi mbulon me shërbime, kryesisht qendrën e Tiranës. /noa.al