Transmetuar më 21-10-2022, 22:27

ITALI- Giorgia Meloni, që pranoi mandatin si kryeministrja e ardhshme e Italisë, do të përballet me një sërë problemesh të ngutshme sapo qeveria e saj të marrë detyrën. Udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, do t’i duhen miliarda euro për të mbajtur premtimet e saj zgjedhore për të zbutur ndikimin e rritjes së kostove të energjisë, për të ulur taksat dhe për të bllokuar një rritje të moshës së pensionit që parashikohet të hyjë në fuqi në janar.

FATURAT E ENERGJISË

Kryeministri në largim Mario Draghi ka caktuar tashmë 66 miliardë euro (64.6 miliardë dollarë) këtë vit për lehtësime taksash dhe subvencione për të ndihmuar firmat që përdorin sasi të madhe energjie dhe familjet e varfra të përballen me faturat e larta të energjisë.

Këto masa ndihme do të skadojnë në nëntor dhe vetëm zgjatja e afatit të tyre për një muaj tjetër do të kushtonte 4.7 miliardë euro, tha Departamenti i Thesarit në shtator.

UKRAINA

Zonja Meloni është shprehur fuqishëm në mbështetje të linjës së ashpër kundër Rusisë, të përkrahur nga NATO dhe BE, duke u zotuar të mbajë sanksionet perëndimore dhe të vazhdojë dërgimin e armëve në Kiev. Ajo duhet të vendosë nëse do të dorëzojë sistemet e mbrojtjes ajrore në Ukrainë, siç kërkohet nga Kievi.

BUXHETI 2023

Koha e zgjedhjeve kombëtare muajin e kaluar e detyroi Italinë të vononte ligjin e buxhetit të vitit 2023, i cili ishte parashikuar të paraqitej në parlamentin italian deri më 20 tetor.

Sipas një skenari të pandryshuar të politikës të përcaktuar në shtator, Thesari e sheh deficitin buxhetor në 3.4% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në vitin 2023, nga objektivi i prillit prej 3.9%. Zonja Meloni mund të rivendosë objektivin e mëparshëm, më të lartë të deficitit për të financuar masat e reja të ndihmës.

PENSIONET

Një vendim i përkohshëm që lejon njerëzit të marrin një pension shtetëror kur janë 64 vjeç skadon në dhjetor, pas së cilës mosha do të rritet në 67 vjeç sipas një reforme jopopullore të vitit 2011, të cilën udhëheqësi i Ligës, Matteo Salvini, një aleat i zonjës Melonit në bllokun e djathtë, dëshiron ta ndryshojë. Bllokimi i rritjes së moshës së daljes në pension do të shtojë një faturë në shpenzimet për pensionin shtetëror, të dytat më të larta në eurozonë në krahasim me prodhimin kombëtar, pas Greqisë.

FONDI I RIMËKËMBJES DHE VAZHDIMËSISË

Italia ka të drejtë të përfitojë rreth 200 miliardë euro në fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë nga Bashkimi Evropian deri në vitin 2026, por duhet të kalojë një sërë reformash në rritje për të siguruar që paratë të vazhdojnë të rrjedhin. Zoti Draghi deri më tani ka siguruar pothuajse 67 miliardë euro fonde të BE-së. Romës tani i duhet të arrijë 55 objektiva të rinj në gjysmën e dytë të vitit 2022 për të marrë një këst shtesë me vlerë 19 miliardë euro.

Zonja Meloni gjithashtu duhet të shpejtojë shpenzimet për fondet e BE-së pas COVID-19, pasi të dhënat e Thesarit tregojnë se Italia është prapa afatit.

TERMINAL I RI GNL

Zonja Meloni do të duhet të sigurojë që një terminal i ri i gazit natyror të lëngshëm (GNL) do të ngrihet me shpejtësi në portin e Piombinos për ta vënë atë në funksion deri në fund të marsit. Investimi prej 400 milionë dollarësh është pjesë e një plani më të gjerë të hartuar nga qeveria në largim për të zëvendësuar furnizimet e pakësuara të gazit rus. VOA