Transmetuar më 28-10-2022, 09:30

Nga YLLI MANJANI

Modernët politikë, dmth pemët pa kokrra që ushqehen për vete me kokrrat e pushtetit, përpiqen të argumentojnë se Berisha e do PD për t’u mbrojtur personalisht nga sulmi politik i SHBA. Në fakt Berisha vetë e ka ushqyer këtë tezë duke krijuar distancë të Tij nga PD, kur vendosi të padisë zotin Blinken. E konsideroi dhe e mori si sfidë personale këtë gjë. Gabim i madh!

Por a është një çështje e tillë personale?! Ndalimi i hyrjes së Tij në SHBA nuk erdhi si pasojë e ndonjë agresioni personal ndaj Amerikës. As Berisha dhe asnjë nga familja Berisha nuk u kap duke vjedhur në amerikë, duke dhunuar një ligj Amerikan apo qoftë edhe duke kundërshtuar politikën Amerikane.

Atëherë, përse iu ndalua hyrja, dmth përse shpallet nongrata?! Qartësisht, po kristal e qartë, shpallja e tij nongrata ka të bëjë me rolin politik të Tij në Republikën e Shqipërisë. Sali Berisha (unë vetë s’kam lënë llaf pa i thënë) është një politikan me ndikim në jetën politike në vend. Pavarësisht posteve politike apo ekzekutive, qënies në pozitë apo opozitë, Ai kishte dhe ende ka rol në jetën politike. Na pëlqen apo jo është çështje tjetër, por fakti duhet pranuar siç është.

Po atëherë ç’lidhje ka nongrata Amerikane?! Është NDËRHYRJE e pastër POLITIKE në politikën e brendshme shqiptare. Qëllimi është i qartë: dobësim i autoritetit publik të Berishës në funksion të rritjes artificiale të autoritetit publik të Ramës. Përse e bën politika Amerikane këtë? S’di ta them. As dua t’ia di përse në fakt.

Ajo që bën quhet NDËRHYRJE në jetën politike të një vendi tjetër. Emër tjetër kjo nuk ka. A bën mirë, apo bën keq edhe kjo është çështje tjetër, por që ndërhyn kjo është e qartë. Dhe që përcaktimi i Berishës nongrata është për motive politike Shqiptare kjo është e dukshme.

Natyrisht, është zhgënjyese për cilindo që ka patur një respekt apo vokacion Amerikan të shohë se si shteti më i madh politik i botës të katandiset në pislliqe të vogla të politikës së kënetës këtu. Por kështu është. Tani, përse Berisha duhet ta ketë personale këtë betejë, kur sulmi nuk i bëhet për çështje perosnale por thjesht politike?!

Jo or jo, duhet të jemi të sinqertë dhe të ballafaqohemi me të vërtetën. Politika e një shteti tjetër ndërhyn dhe përpiqet të imponohet në politikën e vendit tonë. Kjo është çështja. Dhe një politikë normale duhet të ishte në unison me Berishën, dmth jo me personin, por me ndalimin e ndërhyrjes së huaj në jetën e brendshme.

Pa dyshim që kjo është çështje politike, kryepolitike madje. Sot luajnë me Berishën, nesër me një tjetër, edhe me vetë Ramën, i cili sot duket sikur përfiton. Por kjo nuk quhet politike! Aq më tepër një politikë që pranon të diktohet nga cilido zyrtar i huaj dhe nuk pranon të japë llogari para popullit të vet që e voton në fund të fundit.

Këtu është edhe fillesa e shkatërrimit demokratik të vendit. Ndaj çështja Berisha është politike dhe meriton mbështetje politike. Politika që luan me nongratëlliqe nuk ka lidhje me çështjet e Shqipërisë dhe nuk e meriton votën e shqiptarëve.

Dy sqarime të domosdoshme:

1. Kjo llogjikë nuk vlen për trushpërlarët që mendojnë se politika dhe diplomacia Amerikane do luftojnë korrupsionin në "qendren e botës", pra Shqipëri.

2. Të mos pranosh ndërhyrjen politike të një politike të caktuar Amerikane, nuk do të thotë se je anti-Amerikë. Politika edhe atje ndryshon si kudo. Por politika e (Esko)+Barit në Shqipëri është fyerje e madhe.