Transmetuar më 14-11-2022, 11:11

Nga YLLI AMNJANI

Në mars 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i lutet me shkrim Kryeministrit dhe drejtorit të SHISH që t’iu vërë në dispozicion materialet sekrete që pretendohet se janë kundër gjykatësve dhe prokurorëve që janë në proces vettingu.

Në letër-lutjen, KPK madje shkon më tej kur thotë se "… nuk mund të bazojë vendimmarrjen e tij vetëm mbi konkluzione të DSIK, por vetëm duke verifikuar pretendimet mbi dokumentacionin sekret…"

Pra, KPK është zyrtarisht e ndërgjegjshme se nuk mund të ndëshkohet askush pa prova, dmth me thashetheme DSIK-je. Kjo letër-lutje, e cila nuk është sekret, është bërë publike së fundi nga hackerat e Iranit.

Çfarë ka ndodhur që më 2018 e deri sot e kemi të qartë fare. KPK dhe KPA (strukturat e Vettingut) i kanë rënë si n’top t’karadakut duke shkarkuar gjykatës me thashethemet e DSIK, strukturë kjo e kontrolluar tërësisht nga Kryeministri.

Fakt është se KPK dhe në vijim KPA nuk janë bazuar në asnjë kqyrje reale të dokumentave sekretë në SHISH apo diku tjetër, kur vendosën të këpusin gjykatës e prokurorë thjesht se kështu ka konkluduar DSIK, dmth Kryeministri.

E thonë pastaj se janë "të pavarur"!!! Qeveria jo vetëm s’u ka dhënë akses në prova, por iu ka dhënë konkluzione të gatshme, dmth urdhër për shkarkim gjykatësish e prokurorësh.

Që s’kanë patur akses në prova është e dukshme, sepse asnjë procedurë shqyrtimi e dyanshme në konfidencialitet, siç kërkojnë rregullat procedurale, nuk ka ndodhur. Asnjë nga gjykatësit e shkarkuar nuk është njoftuar për shqyrtim të dosjeve sekrete ndaj tyre, siç ka pretenduar DSIK.

Përkundrazi, kanë marrë vendime thjesht se kështu ka thënë DSIK. Pra janë shkarkuar mbi bazë thashethemesh e aludimesh, por jo provash zyrtare që krijojnë bindje të fortë vendimmarrëse (në letër-lutjen kërkohet pikërisht krijimi i kësaj bindje).

Kjo letër-lutje, e zbuluar tani, është në akt flagrant, ku vettingu vetëdenoncohet si i padrejtë, i pambështetur në fakte dhe tërësisht i varur nga Kryeministri. Pra, Vettingu pranon se ka marrë vendime i pabindur në prova e fakte, por mbi bazë aludimesh.

Më rëndë sesa kaq ka tjetër çfarë të ndodhë! Ajo që kemi parë është thjesht pasojë e vendimarrjes së urdhëruar nga DSIK, pra Kryeministri. Të fala shumë andej nga reforma dhe akoma më shumë të fala reformaxhinjve brenda e jashtë!

Të gjithë të larguarit nga sistemi me urdhër të DSIK janë legjitimë të kërkojnë rishikimin e vendimmarrjes krejt të varur dhe anti kushtetutë!