Transmetuar më 19-11-2022, 09:44

Nga Lutfi DERVISHI

Kiko u njoh përmes televizionit me shifrat e sondazhit se kë besojnë më shumë/më pak shqiptarët dhe ra në mendime të thella. I lexoi disa herë pesë institucionet më të besuara dhe po aq herë pesë institucionet më pak të besuara, dhe sërish mbeti gojë hapur.

Pesë institucionet që shqiptarët besojnë verbërisht: Ambasada amerikane, Delegacioni i BE, OSBE, Liderët fetarë, KQZ. Shqiptarët kanë 32 vite që bërtasin e “Duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por më shumë besokan SHBA-në, – tha Kiko. Shumë interesante.

“Duaje atdheun, si shqiptari Amerikën”, – iu kujtua Kikos një moto e shekullit të ri të vendit të shqiponjave. Shqiptarët jo vetëm që e kanë festë kombetare ditën e hapjes së llotarisë amerikane, por edhe janë të bindur se SHBA para halleve globale, luftës në Ukrainë, tensioneve me Kinën, ndryshimeve të klimës, NATO-s, etj, hall mbi hallet ka traun e vendosur në Divjakë, korrupsionin e qeverisë, apo primaret e opozitës.

Shqiptarët u besojnë më shumë ndërkombëtarëve se institucioneve shtetërore

Kur lexoi se OSBE ishte institucioni i tretë më i besuar, Kiko fërkoi sytë dhe hapi ‘google’ për të kuptuar se çfarë është OSBE! Megjithatë, britma më e madhe e Kikos u dëgjua kur pa se në vendin e katërt për shkallën e besimit renditen “liderët fetarë”. Unë e dija se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, – tha Kiko, por këtu feja e shqiptarit qenka ndërkombëtaria.

Vendin e habisë e zuri humori kur Kiko lexoi inicialet KQZ. Kiko u mek së qeshuri. Kaq të shenjë ta kenë votën shqiptarët?! Vendin e buzëqeshjes e zuri habia kur erdhi radha e institucioneve më pak të besuara. Dakord që shqiptarët nuk besojnë te qeveria, prokuroria/SPAK, gjykatat dhe qeveria, por si ka mundësi të mos besojnë partitë?

Në këtë vend nuk gjen shqiptar, por vetëm socialistë ose demokratë, dhe partitë nuk besohen?! Mosbesimin te qeveria, parlamentit, drejtësia dhe media, Kiko e quajti si trend të kohës. Njerëzit nuk besojnë te institucionet dhe pushtetit. Eshtë koha që njerëzit besojnë facebook, twitter dhe tiktok.

Tre pushtetet në Shqipëri (ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori) pushtete që burojnë nga vota e shqiptarit nuk besohen, por besohet KQZ, – tha Kiko. Si shpjegohet që këta njerëz besojnë institucionet që nuk votohen nga askush dhe nuk besojnë institucionet që vetë i votojnë?!