
Bruksel- Pas diskutimesh të gjata, arrihet marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç u takuan sot në Bruksel për të gjetur një zgjidhje për tensionet në veri të Kosovës.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrell ka njoftuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje. Borrell përmes një cicërime në Tëitter tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord për masat në mënyrë që të shmangen përshkallëzimet e mëtejshme.
Sipas marrëveshjes, Serbia nuk lëshon më targa "ilegale", Kosova nuk i zbaton gjobat.
Ndërkohë që takimi mes Bisllimit dhe Petkoviçit kishte nisur Lista Serbe në Kosovë zhvillonte një protestë me gratë serbe që jetojnë në Mitrovicën e Veriut.
Takimi ka ardhur pasi SHBA i kërkoi dje kryeministrit Albin Kurti që të shtynte me 48 orë afatin për vendosjen e gjobave për serbët që nuk kanë kthyer makinat me targa RKS.
Kryeministri Kurti ka treguar sot detaje nga takimi i të hënës në Bruksel me Vuçiç, duke theksuar se ai shkoi atje për marrëveshjen përfundimtare.
Tensionet në zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian, i njohur si nisma franko-gjermane.