Transmetuar më 24-11-2022, 15:08

GREQI- Mbeten të tensionuara marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Sipas mediave greke, 6 avionë turq kanë fluturuar mbi Egje.

Ishin 3 formacione F-16 turke, që sipas tyre, kanë kryer shkelje të vazhdueshme të hapësirës ajrore të Athinës si dhe fluturime nga territori grek.

Konkretisht, një çift avionësh fluturoi në orën 13:31 mbi ishujt Kanibalë dhe Makronisi në lartësinë 28,000 metra. Tre minuta më vonë, dy çiftet e tjera të avionëve fluturuan mbi të njëjtët ishuj, njëri në 24,000 metra dhe tjetri më ulët, në 15,000 metra.

Mediat greke gjithashtu theksojnë se, fluturimi i avionëve turq sipër ishujve të tyre është një veprim që përsëritet dhe përbën një shkelje të rëndë të ligjeve ndërkombëtare.

Tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta, që prej konfliktit të tyre lidhur me mosmarrëveshjet për ujërat territoriale.