Transmetuar më 28-11-2022, 09:25

Nga Ardian VEHBIU

Po dëgjoja këngën fituese të “Kënga Magjike” 2022 nga Marsela Çibukaj (këngëtarja ime e preferuar në spanjisht), dhe më ngeci veshi te këto vargje të tekstit nga Alban Ramosaj:

Më thuaj si t’shijon tradhëtia

Në ditë të kqija më ke lënduar

Në funeral të dashnis tem

Ti je i paftuar

Nuk po ngutem të them se çfarë mendoj unë për këtë shqipe (i vetëdijshëm se nuk jam unë publiku “target” i kësaj kënge), por dua t’ju pyes ju që mund ta dini, nëse kjo formë deledash, DASHNIS TEM, me emrin në gjininë femërore dhe mbiemrin në gjininë mashkullore, ndeshet në ndonjë dialekt a të folme?

Me fjalë të tjera, t’ju pyes nëse vjen kjo formë drejtpërdrejt nga gurra popullore (që e paçim) apo është krijim safí që e pasuron shqipen me prurje sa licencioze aq edhe antikonformiste, të tilla që t’ia shtojnë këngës vlerat artistike, gjithë duke e ngashënjyer dëgjuesin mendje-kthjellët.

Teksti sjell edhe një potpuri pjesoresh të krasitura të gegnishtes, të tilla si (t’kam) DURU, (s’ka) PËRFUNDU, dhe pjesoresh të hekurosura të standardit (më ke) LËNDUAR, (ti je i) PAFTUAR.

Të jetë pra vallë kjo shqipja e së ardhmes në Ballkanin e Hapur, plot nerv trans-gramatikor dhe pluralizëm mbaresash, apo të jetë fjala thjesht për ndonjë orvatje mirëfilli artistike për të konsoliduar zhargonin kosovaro-standard të popit trans-shqiptar, në emër të çeljes së shtigjeve të reja?