Transmetuar më 28-11-2022, 12:44

Messi e theu ngërçin kundër Meksikës në pjesën e dytë dhe kaloi Argjentinën në epërsi në ndeshjen e tyre të Kupës së Botës, të shtunën. Sulmuesi 35-vjeçar argjentinas, i cili besohet se do të garojë në Botërorin e tij të fundit, më pas asistoi Enzo Fernandez për të ‘vulosur’ fitoren mahnitëse 2-0 për skuadrën e tij.

Fitorja jetike e Argjentinës në stadiumin “Lusail” iu dha bardhekaltërve shanse për të arritur në 16-she, pas humbjes poshtëruese ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse të Grupit C.

Messi & CO festuan në modë pas fitores së Argjentinës ndaj Meksikës, me lojtarët që shpërthyen në këngë në dhomën e zhveshjes. Megjithatë, u duk se superylli i Paris Saint-Germain goditi aksidentalisht një fanellë, ose flamur të Meksikës në dysheme, kur po hiqte këpucët.

Pamjet e Messit, që dukej se tregonte mungesë respekti ndaj Meksikës, shkaktuan zemërim te superylli meksikan i boksit, Canelo Alvarez, i cili kërcënoi publikisht kapitenin argjentinas për veprimet e tij.

“A e keni parë Messin duke fshirë dyshemenë me fanellën dhe flamurin tonë, – shkroi ai në Twitter. – Më mirë t’i lutet Zotit që të mos e takoj ndokund. Ashtu si unë e respektoj Argjentinën, ai duhet të respektojë Meksikën. Nuk po flas për vendin në tërësi, vetëm për veprimin që bëri Messi”.

Megjithatë, tifozët e sulmuan Canelo për kërcënimin e tij ndaj Messit dhe theksuan se shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk e kishte shpërfillur Meksikën gjatë festimeve.

"Asgjë në këtë video nuk e tregon atë duke pastruar këpucët e tij apo dyshemenë, kapiteni ynë thjesht po feston”, – i shkroi një fans në përgjigje të postimit të Canelo në Twitter.

Dikush tjetër postoi: “Nuk ka asgjë që e përligj postimin tënd në këtë video. Njeriu duhet të ketë supervizion”.

Një tjetër tifoz komentoi: “Duket si një fanellë, e cila është në dysheme pa dashje. Messi nuk është aq i cekët, sa mendon ti. Canelo godet një futbollist për diçka që nuk ndodhi”.

Ndërsa një tjetër shtoi: “Nuk shoh asgjë të keqe në video. Apo mungon diçka në të?”

Argjentina do të rifillojë fushatën e saj në Kupën e Botës më 30 nëntor, kur do të përballet me Poloninë, liderin e Grupit C, në stadiumin “974”.

Djemtë e Lionel Scaloni do të arrijnë në fazën eliminatore me një fitore ndaj Polonisë, por një barazim mes Meksikës dhe Arabisë Saudite do t’i siguronte gjithashtu një vend në 16-she të “Katar 2022”.