Transmetuar më 29-11-2022, 11:56

Ndeshja emocionale mes Koresë së Jugut dhe Ganës përfundoi 3-2 për kombëtaren afrikane, pas golit vendimtar në minutën e 68-të nga Kudus. Dopieta e Cho nuk iu mjaftoi koreano-jugorëve, të cilët kishin barazuar disavantazhin fillestar (2-2).

Me këtë fitore, ganezët rihapin shpresat për kualifikimin në 16-she, ndërkohë që bëhet shumë e vështirë, thuajse e pamundur për Korenë e Jugut, me vetëm një pikë të grumbulluar deri tani dhe ndeshjen e fundit në grup për ta luajtur ndaj Portugalisë së Ronaldos.

Situatë padyshim e vështirë për kapitenin Heung-min Son, i cili në bilbilin e trefishtë shpërtheu në lot, i vetëdijshëm për eliminimin e mundshëm nga Kupa e Botës pas disfatës ndaj Ganës.

Mirëpo, kjo nuk i ka penguar disa tifozët ganezë, të cilët pavarësisht situatës i kërkuan një foto sulmuesit të Tottenham. Videoja është bërë "virale" në rrjetet sociale dhe shumë e drejtojnë gishtin drejt Ganës.

Ylli koreano-jugor shihet qartë i dëshpëruar dhe i rrethuar nga disa njerëz që, pa kufizime, janë aty vetëm për një "selfie" me lojtarin.