Transmetuar më 30-11-2022, 10:36

Kupa e Botës në Katar po vijon me ndeshjet e treta në grupe. Në datën 2 dhjetor, në orën 20:00, Serbia sfidon Zvicrën për një biletë në fazën e 1/8 finale. Njëra prej dy kombëtareve do ta vijojë garën në Botërorin e këtij fundviti, ndërsa tjetra do të kthehet në shtëpi.

Te Zvicra luajnë edhe Xhaka me Shaqirin, me tifozët shqiptarë që kanë një arsye më shumë për të qenë kundër Serbisë në këtë përballje. Në Zvicër ka ndodhur diçka e veçantë në një pallat. Gjysma e katit është veshur me ngjyrat kuqezi, me flamurin ‘Autochthonous’ dhe atë të Zvicrës, teksa ngjitur me të janë vendosur flamujt serb.

Ndërkohë, Antan Metaj nga Katari ka deklaruar se shqiptarët po përgatisin një surprizë për tifozët serbë, pas provokimit të bërë me fotot e publikuara, ku harta e Kosovës ishte e vendosur në flamurin serb:

“Ambasada shqiptare në Katar organizoi një tip kokteji të vogël dhe kam parë se mjaft bashkombas janë rezidentë këtu, por kanë ardhur edhe enkas për kupën e Botës. Tani po presim ndeshjen e Zvricës me Serbinë, ku do kemi një surprizë, sepse ata bënë diçka me hartën e Kosovës, por nuk e dinë atë që ndodh më mbrapa. Ne jemi duke u përgatitur që ta veshim kuqezi tribunën ku do qëndrojnë tifozët serbë”.

Jehonë kësaj ndeshjeje të nxehtë i ka bërë edhe gazeta spanjolle “AS”, e cila shkruan si vijon: “Ndeshja Serbi-Zvicër, që do të luhet të premten (ora 20:00) do të jetë një duel i ngarkuar me më shumë sesa thjesht tension sportiv. Rezultati do të sqarojë se cila skuadër do ta shoqërojë Brazilin në 16-she të Kupës së Botës në Katar si përfaqësues të grupit F.

Një përballje vendimtare që në kampin e skuadrës ballkanike ishte shënuar me të kuqe shumë kohë përpara se të dihej se djemtë e Dragan Stojkoviçit do duhet të fitojmë patjetër për t’i mbajtur shpresat e kualifikimit. Tashmë në prill, kur shorti përcaktoi se ata do të ndanin grupin me zviceranët, një "tërmet" hakmarrës tronditi vendin nga veriu në jug. Konflikti me Kosovën dhe derivatet e saj sportive fshihen pas këtij episodi me prolog në Botërorin 2018.

Në Botërorin e kaluar, siç do ta vendoste shorti, ashtu si tani, Serbia u përball në fazën e parë me Zvicrën. Kosta Rika dhe Brazili (edhe një rival i të dyjave në Katar) përbënin pjesën tjetër të grupit E. Përplasja mes Serbisë dhe Zvicrës u zhvillua në xhiron e dytë dhe u parapri nga një tension shumë i lartë politik.

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, yje të kombëtares së Zvicrës, kanë origjinë shqiptare nga Kosova. Ata janë dy nga sportistët më të përfshirë në promovimin e pretendimeve të Kosovës si një shtet i pavarur që nga viti 2008, por që Serbia e pretendon ende si rajonin e saj pas dekadash konflikti, në fillim të armatosur dhe tani diplomatik e social.

Në ditët para "Rusia 2018", Shaqiri kishte treguar në rrjetet sociale këpucët e sportit që do të vishte në atë Kupë Bote. Në to figuronte flamuri zviceran dhe ai kosovar, i vendit ku lindi, para se të emigronte në Evropën Qendrore. Ky u konsiderua një provokim në Serbi, gjë që e dërgoi lojën në kufij të rrezikshëm.

Fitorja atë pasdite shkoi te Zvicra, pikërisht falë golave të Xhakës dhe Shaqirit. Të dy festuan duke simuluar me duar shqiponjën dykrenare, që simbolizon flamurin e Shqipërisë, kombit gjenezë që ushqen lëvizjen nacionaliste kosovare. Gjesti u solli atyre një gjobë nga FIFA prej 105.000 franga zvicerane për kokë dhe urrejtjen e përjetshme nga një pjesë e madhe e Serbisë, një vend me doza të larta nacionalizmi, që tani sheh në këtë ripërsëritje të duelit me Zvicrën në "Katar 2022" mundësinë e përsosur për t’u hakmarrë për këtë.

Kaq rëndësi i kushtohet kësaj ndeshjeje, saqë sapo u bë i ditur shorti i Botërorit në Katar, rrjetet sociale serbe u mbushën me referenca për detyrimin për ta fituar këtë ndeshje ndaj Zvicrës, edhe nëse nuk do të kishte më asnjë rëndësi sportive. Një Botëror që filloi (përsëri) me një rrëmujë politike, pasi një foto e hartës së Serbisë, që përfshinte brenda saj edhe Kosovën, u zbulua pak para debutimit kundër Brazilit.

Në të shkruhej motoja "Nema pradaje" (nuk ka shpagim), të shkruar me shkronja cirilike. FIFA ka hapur një dosje ndaj Federatës Serbe të Futbollit, për atë që ndodhi, pasi ministri kosovar i sportit, Hajrullah Çeku, e denoncoi në rrjetet e tij sociale. Ky episod i shton "karburant" një përballjeje kapitale, më shumë se sportive.

Duke supozuar se Brazili nuk do të humbasë ndaj Kamerunit në ndeshjen e fundit, dueli mes serbëve dhe zviceranëve do të jetë ai që do të vendosë kombëtaren tjetër të kualifikuar nga ky grup në 16-she. Në këtë skenar, Zvicrës do t’i mjaftojë edhe barazimi. Serbia do të kualifikohet vetëm nëse fiton dhe Kameruni nuk bën të njëjtën gjë me Brazilin. Kombinime matematikore që i shtojnë "erëza" këtij dueli me derivate ekstrasportive, shumë më tepër se sa luhet në fushë".