Transmetuar më 02-12-2022, 12:00

Kosovë- Detaje të rënda mësohen nga ngjarja tragjike në Kosovë ku Sokol Halili, i mori jetën ish-bashkëshortes së tij shtatzënë, Hamide Magashi.

Magashi e kishte denoncuar në hetuesi ish-bashkëshortin e dhunshëm ndërkohë që në dosjet kundër tij përmendet dhe një fakt tjetër që tregon tentativën e viktimës për të shpëtuar nga Halili.

Në dosje thuhej se e ndjera i kishte ofruar para ish-bashkëshortin vetëm që ai ta linte të qetë. Madje ky fakt ishte përmendur edha para gjykatës.

Në një procesverbal përshkruhet se Sokol Halili i kishte thënë gjykatësit që gruaja e tij i ka ofruar para për ta lejuar që të shkojë në shtëpi.

“Më ka premtu një shumë të madhe të pareve veç me e lanë me shku te shtëpia e babës, më ka thanë martohu me kë të duash, vetëm më lë rehat mua dhe fëmiun”- përshkruhet në procesverbalin gjyqësor të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Madje para gjyqtarit, i dyshuari kishte deklaruar se nuk do ta linte të lirë Hamide Magashin me asnjë kusht, pasi nuk do lejonte që fëmijën e tyre pas lindjes ta mbante e ndjera.

Të gjitha këto deklarata i kishte bërë i dyshuari Sokol Halili në kohën kur në Gjykatë po shqyrtohej kërkesa për mbrojtjen e viktimës. Ndërkaq deklaratat e viktimës para hetuesisë tregonin se ajo kishte raportuar dhunën e vazhdueshme me të cilin ishte përballur.