Transmetuar më 02-12-2022, 14:37

PSG tashmë ka lëvizur për të rinovuar me Leo Messin, ndoshta i shtyrë dhe nga fakti se prej muajsh spekulohet për një largim të mundshëm të gjeniut argjentinas nga klubi parizien. Sipas informacioneve të GOAL, drejtuesit e klubit francez i kanë thënë tashmë Messit se synojnë t’i ofrojnë rinovimin pasi të përfundojë Botërori i Katarit, ku Argjentina pardje certifikoi kualifikimin për në 1/8 finale.

Oferta, sipas informacioneve të sipërpërmendura, do të jetë edhe për dy sezone të tjera, deri më 30 qershor 2025, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që propozimi të jetë edhe për një sezon shtesë si opsion. Te PSG janë të kënaqur me paraqitjen e Messit këtë sezon dhe konsiderojnë se ai mund të jetë ende shumë i dobishëm për ekipin.

Pa shkuar më tej, në Botëror ai tashmë ka dy gola. Ndaj Polonisë, edhe pse humbi një penallti, dha disa asiste spektakolare. Në Ligue 1, këtë sezon, ai ka 7 gola dhe 10 asiste në 13 ndeshje. Në Champions League ka 4 gola dhe 4 asiste në 5 ndeshje.

Krahas performancës sportive, klubi parizien e sheh prezencën e argjentinasit si një "magnet" të madh për sponsorët. Në fakt, që kur ka mbërritur në Paris, klubi ka shumëfishuar numrin e kompanive dhe markave që kanë vendosur t’i bashkohen.

Ata vlerësojnë gjithashtu që Messi është shumë i përfshirë te PSG. Në planin ekonomik, shifrat që do t’i paraqesin për rinovim pritet të jenë të ngjashme me kontratën aktuale. Me këtë lëvizje, PSG do t’iu japë fund edhe thashethemeve të vazhdueshme për rikthimin e tij të mundshëm te Barcelona.

Presidenti Joan Laporta ka insistuar gjithmonë se ka një shije të hidhur për mënyrën se si u largua nga klubi i Barçës dhe se do t’i pëlqente nëse do të mund të kthehej. Xavi Hernández, trajneri i ekipit të parë, ka thënë gjithashtu nga Katari se do të dëshironte shumë ta stërviste Messin.

Disa ditë më parë ishte Jordi Cruyff, drejtori sportiv katalanas, ai që pranoi se Messi dhe Barça ishin të dënuar të bashkoheshin sërish. Në çdo rast, nëse Messi pranon të rinovojë me parizienët, do të ndalojë së ushqyeri opsionet e një rikthimi të mundshëm te Barcelona.