Transmetuar më 03-12-2022, 07:54

Dy imazhe kanë nxjerrë në pah topin e Botërorit të Katarit. Njëra, përpjekja e Cristiano Ronaldos për ta "krehur" topin në golin e parë të Portugalisë kundër Uruguajit, Tjetra, fotografia me katër topa të lidhur me një kabllo energjie dhe në karikim.

Ky Botëror është i pari në të cilin topat e Adidas inkorporojnë një mikroçip, që kombinon teknologji të ndryshme gjurmimi për të ndihmuar VAR-in, për të mbledhur metrikë dhe për të sqaruar, për shembull, nëse Cristiano e preku apo jo krosimin e Bruno Fernandes, që solli golin e parë të Portugalisë në fitoren kundër Uruguajit.

Mikroçipi peshon vetëm 14 gram dhe është projektuar nga kompania "Kinexon", e cila i ka ofruar këtij instrumenti dy sensorë të ndryshëm, UWB, i cili mbledh të dhënat e pozicionit nga topi dhe IMU, regjistron lëvizjet e topit në tri dimensione.

Dhe çfarë ndodh kur topi del jashtë ose shkon në tribuna dhe ju duhet ta zëvendësoni atë? Asgjë, "Kinexon" e ka nën kontroll këtë situatë dhe përditësimi i topit të ri është automatik, pa nevojën e ndërhyrjes njerëzore.

Sensori, i vendosur në qendër të topit, gjithashtu bën të mundur mbledhjen e të dhënave ndijore dhe akustike nga lëkura. Kështu u mbyll debati dhe u konstatua se Cristiano nuk e preku topin në golin e parë ndaj Uruguajit.

Teknologjia IMU, e përmendur më sipër, është e aftë të mbledhë deri në 500 korniza në sekondë, kështu që ishte e lehtë të kapje, përmes dridhjeve të topit, nëse portugezi e preku topin apo jo. Sensori tha "jo" dhe Adidas ia kaloi këtë informacion FIFA-s për të konfirmuar se goli shkonte në llogarinë e Bruno Fernandes, jo të CR7.

Pra, teknologjia përdori të gjithë indikatorët, që nxorën "lupën" për të deshifruar nëse flokët e Cristianos e kishin prekur topin apo jo. Për të kompletuar funksionimin e topit të Botërorit kanë rrjedhur disa pamje se si përgatitet një ndeshje, me disa topa të vendosur përballë një kablli elektrik teksa po karikoheshin.