Transmetuar më 15-12-2022, 23:24

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për shpejtësinë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian në vitet në vijim. Kreu qeveritar tha se viti i ri në kuptimin evropian të fjalës për Kosovën filloi pikërisht sot, më 15 dhjetor, kur edhe si shef qeverie e dorëzoi në Pragë aplikimin për anëtarësim në BE.

Kurti nga Praga, në një interviste me korrespodenten e RTK-së Gjeraqina Tuhina, ka treguar se Kosova synon që mesataren e anëtarësimit në BE ta ketë 9 vite.

“Prej 27 shteteve të BE-së, 6 sosh janë themeluese e 21 të tjera kanë pasur intervale të ndryshme kohore derisa u anëtarësuan, por mesatarja e tyre është 9 vjet. Andaj, edhe ne synojmë që ta kemi këtë mesatare si objektiv, duke e ditur që kemi shumë punë edhe në shtëpinë tonë edhe në fqinjësinë tonë. Sepse, pa i rregulluar marrëdhëniet ndërfqinjësore nuk mund të llogarisim në anëtarësim të suksesshëm”, tha i pari i ekzekutivit.

Por, kjo siç tha ai, nuk vlen vetëm për Kosovën, por vlen për të gjitha gjashtë shtetet që ende ngelen të paintegruara.

“Me procesin e Berlinit të rimarrë nga kancelari Scholz, i cili qysh në fillim kurorëzoi 3 marrëveshje që duhet të ratifikohen në 6 parlamente, dhe pas agresionit rus në Ukrainë, unë jam i bindur se ndodhemi në një vetëdije të llojit të ri në shkallë evropiane, që do të përshpejtojë inkuadrimin e Bashkimit Evropian në Ballkan, për anëtarësimin e Ballkanit në Bashkim Evropian”, tha ai.

Ai tha se tre mijë kilometra do të shkurtohet kufiri i jashtëm i BE-së, atëherë kur inkuadrohet Ballkani në BE.

“Nuk vlen veç për Kosovën, por thuajse secila familje në Ballkanin Perëndimor e ka një anëtar në Evropën perëndimore dhe ndërkohë që ne duam të bashkohemi në familjen evropiane, ne bashkohemi edhe me familjet tona”, tha Kurti në këtë intervistë nga Praga.

Kryeministri ka treguar pse ka kaq shumë optimizëm për rrugën e shpejtë evropiane të Kosovës.

“Për shkak se Kosova ka dy vjet që është më ndryshe. Në mesin e 14 shteteve të Evropës lindore që ende nuk janë në BE, është viti i dytë që Kosova është e dyta në listë sa i përket sundimit të ligjit sipas projektit botëror të drejtësisë dhe të dytët në rang global sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit. Raporti i Progresit është më i miri ndonjëherë. Në luftë kundër korrupsionit kemi 17 vende avancim përpara, njëjtë si për lirinë e mediave. Karakteristikat ekonomike të rritjes tregojnë për progres, e kjo po vlerësohet nga Brukseli”, tha ai.

I pyetur nëse është e gatshme Kosova të bëjë hap para në dialog që të marrë përgjigje pozitive të Brukselit, kreu qeveritar tha se janë të përkushtuar, konstruktiv, aktiv e kreativ në dialog, por për marrëveshje, tha ai, nevojiten të dyja palët.

“Përderisa Kosova ka bërë hapa para, Serbia ka bërë hapa prapa. Ata dërgojnë letra e kërkesa për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë, në anën tjetër ata bëjnë thirrje për barrikadim të veriut që paraqet veprim të paligjshëm në Kosovë dhe pengues para së gjithash për vetë serbët. Një lloj histerie që e përfshiu Beogradin zyrtar, pasi që u emërua Nenad Rashiq ministër në Qeverinë e Kosovës, nuk e tregon fuqinë e tyre, por pafuqinë e tyre”, vijoi ai.

Por, shtoi se shtetet mos njohëse nuk po e presin dialogun Kosovë- Serbi, por po e presin stabilitetin e mëtutjeshëm të progresit e zhvillimit në Kosovë.

“Ne po e rregullojmë imazhin Kosovës, po i rregullojmë karakteristikat e brendshme të Kosovës dhe mendoj që me punë sistematike do të na vijë dita edhe kur këto 5 shtete do t’i bashkohen 22 të tjerave. Po që se kemi mirëbesim dhe qëllim për marrëveshje Kosovë-Serbi për normalizim të plotë të marrëdhënieve, unë jam i bindur se kjo arrihet për disa muaj. Por, nuk nevojitet të kërkohet nga Kosova më shumë për shkak se nevojitet të kërkohet nga Serbia shumë më shumë sepse qartazi është duke u paraqitur si shteti ballkanik me më së shumti fuqi destabilizuese. Ata po kërkojnë të dëgjohen të parët e më së shumti në Bashkimin Evropian”, nënvizoi Kurti.

Ai, sërish foli për gishtin e fajësisë që shefi i diplomacisë evropiane i kishte drejtuar me 21 nëntor kur kishte dështuar fillimisht marrëveshja në Bruksel. Qëndrimin e Borellit e quajti qëndrim të padrejtë dhe gjuhën jo adekuate.

“Me 21 nëntor, kishim një propozim nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borell, e cila nuk përfshinte fare çështjen propozimit evropian të përkrahur nga Franca, Gjermania e SHBA, por merrej veç me çështjen e targave. Si i tillë nuk ishte i pranueshëm e sigurisht ndaj meje u përdor një qëndrim i padrejtë dhe gjithashtu një gjuhë jo adekuate. Kjo ishte më 21 nëntor, por me 24 nëntor bëhet një deklaratë krejt tjetër të cilën unë do ta pranoja më 21 nëntor, por nuk ishte në tavolinë”, përfundoi Kurti.