Transmetuar më 27-12-2022, 18:22

DURRËS- Policia arreston 10 persona nga Kosova. Ata janë vënë në pranga pasi kanë tentuar të trafikojnë 16 të mitur drejt Italisë. Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet me dije se 16 të miturit ishin kamufluar si pjesë e një ekipi sportive. Ata kishin paguar 3000-4000 euro për të kaluar drejt Italisë, ku më pas do të kërkonin azil. Trafikantët, para autoriteteve në Portin e Durrësit janë janë prezantuar si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv.

Por, nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë paratë trafikantëve, në mënyrë që të ndihmonin të miturit të shkonin në Itali. Kreu i grupit dyshohet të jetë personi i identifikuar si Besmir Haxhikadria, po nga Kosova. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarit janë: Blerim Bytyqi, 48 vjeç, Drilon Shala, 32 vjeç, Dukagjin Gunga, 36 vjeç, Fabion Berisha, 21 vjeç, Fatmir Gjoshi, 54 vjeç, Qendresa Krasniqi, 20 vjeçe, Ajishe Demaj, 21 vjeçe, Endrit Demaj, 21 vjeçe, Besmir Haxhikadria, 37 vjeç, Almir Kryeziu, 22 vjeç.

Njoftimi i Portit Durrës:

Finalizohet operacioni “Ekipi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Operacioni u zhvillua nga Policia Kufitare Durrës dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës. Tentuan që të kalonin drejt Italisë, 16 shtetas të mitur, kundrejt fitimit 3000-4000 euro për secilin, duke u kamufluar si pjesë e një ekipi sportiv, vihen në pranga 10 shtetas. Të miturit janë prezantuar si ekip sportiv, ndërsa të arrestuarit janë prezantuar si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv. Njëri nga të arrestuarit, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 5945 euro. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara në PKK Durrës, në kuadër të planit të masave për festat e fundvitit, bazuar dhe në inteligjencën informative për një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ekipi”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 10 shtetas:

B. B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Kosovë. Të gjithë këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova (të moshës 17 vjeç), që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Shtetasit e arrestuar janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata po shoqëronin. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil. Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë. Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.