Transmetuar më 28-12-2022, 22:12

SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Rashkë, ku pritet të fillojë bisedimet me serbët nga veriu i Kosovës.

"Çdo orë presim që Dejan Pantiç të jetë në shtëpinë e tij me familjen. Tani barrikadat po anashkalohen dhe po shikojmë si ta largojmë sepse duhet të shoqërohet nga EULEX-i. Atë që kemi në letra dhe kërkesat për të mos përndjekur njerëzit në barrikada, e kemi shkruar pa mëdyshje," tha Vuçiç.

Ai vuri në dukje se kishte anuluar konferencën e tij vjetore të planifikuar për nesër dhe se ajo do të mbahej në ditën e Krishtlindjes.

"Jam gati të të dëgjoj gjithë natën dhe të përgjigjem," shtoi ai.

Paraprakisht, Vuçiç, para bisedës me serbët, tha se e pret një natë e gjatë dhe e vështirë.

"Të shohim si do të shkojë. Do të jetë një natë e gjatë dhe e vështirë. Nuk mendoj se sot ishte një ditë e keqe, përkundrazi. Është bukur kur sheh gruan dhe fëmijët teksa mirëpritën burrin dhe babanë e tyre në shtëpinë e tyre, të shohësh ato lot gëzimi," tha Vuçiç, duke folur për ish-polici Dejan Pantiç.

Ai thotë se ka marrë mesazhin se nuk i besojnë Evropës e as Amerikës, e aq më pak Kurtit. Nga ana tjetër, sa i përket Prishtinës, ai tha se pritej që të mos jenë të kënaqur.

"Pres që të vijnë sonte me kërkesa për mua dhe për Serbinë. Për herë të parë kemi diçka që nuk i referohet vetëm palës shqiptare dhe NATO-s. Sot për herë të parë morëm diçka që përfaqëson një burim të ri të ligjit që nuk vlen vetëm për ato dy palë. Kjo është një punë e madhe për ne. Si dhe faktin që ia dolëm të ruanim fjalën barrikada në tekst, kemi luftuar për të gjithë natën," ka theksuar Vuçiç.

Ai po ashtu thotë se do të luftojë me serbët për Kosovën dhe Metohinë dhe se ka qenë gjithmonë me ta, e sa i përket besimit në propozimet perëndimore tha se nuk kemi alternativë.

"Cila është alternativa, të vrasim të gjithë. Dhe kjo është hera e parë që nuk strehohemi dhe nuk lëvizëm. Ju e dini se çfarë ka në këtë vend. I gjithë Shtabi i Përgjithshëm, të gjithë jemi gati të ndihmojmë popullin tonë. Por nuk është qëllimi ynë që të mos ruajmë paqen. Por unë do të pranoj çdo vendim dhe e kam pranuar atë barrë. Për mua Kosova dhe Metohia është Serbi dhe nuk do të jetë kurrë asgjë tjetër. Ata janë vëllezërit dhe motrat e mia. Kjo do të jetë një mbrëmje e vështirë dhe e gjatë. Mendoj se do të kërkojnë që të bëhet pa praninë e gazetarëve, kështu që do t’i pyesni më vonë nëse është kështu," tha Vuçiç.