Transmetuar më 29-12-2022, 10:30

Barrikadat e vendosura në pikën kufitare në Merdare në veri të Kosovës janë hequr, duke liruar rrugën dhe rikthyer në normalitet të plotë pikën kufitare.

Heqja e barrikadave ndodhi pas deklaratës së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se ato do të hiqen brenda 48 orëve.

Policia e Kosovës tha se pika kufitare është rikthyer në funksion të plotë pas bllokimit më 27 dhjetor.

“Rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim.

Qytetarët dhe bashkatdhetarët se tani pikëkalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, tha policia e Kosovës.

Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të Dejan Pantiç.

Ai u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Pantiç u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa e sigurisë me atë të arrestit shtëpiak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha më herët dje nga Rashka se, pas bisedimeve me serbët nga Kosova, heqja e barrikadave do të fillojë mëngjesin e kësaj të enjteje (29 dhjetor).

Presidenti paralajmëroi se nëse do të vijohet me arrestimet e serbëve, veriu i Kosovës do të mbyllet përgjithmonë.

“Përfundimet e serbëve nga barrikadat janë se nëse vazhdojnë arrestimet e serbëve, veriu i Kosovës do të mbyllet përgjithmonë për institucionet e Prishtinës, ata po kërkojnë një konfirmim të qartë se kurrë nuk do të ketë njohje të Kosovës në asnjë formë”, tha Vuçiç.