Transmetuar më 29-12-2022, 15:00

Qeveria shqiptare, për herë të parë ka vendosur një paketë financiare që përfshin gjysmën e popullsisë aktuale që jeton në vend, duke përfshirë në këtë pagesë direkte, shumë kategori përfituese.

Vendimi pritet të shpallet sonte, por noa.al ka siguruar detaje të asaj që nga kryeministri Edi Rama u shpall pak minuta më parë si Pakoja e Madhe.

Në këtë pako përfshihet ndihmë financiare direkte në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar.

Sipas qeverisë, synohet që të zerojet efekti i inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, por edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.

Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit. /noa.al