Transmetuar më 04-01-2023, 23:11

FRANCË- Ai dëshmoi me aktin e tij heroik se ishte i vlefshëm për shoqërinë. Por Franca nuk e do.

Roland Aliu shpresonte se do fitonte një leje qëndrimi pasi shpëtoi një tetëvjeçar nga flakët në Poitiers në shkurt të vitit 2022. Ai aktualisht është subjekt i detyrimit për t’u larguar nga territori francez (OQTF), raporton Yahoo.com.

Në shkurt të vitit 2022, shqiptari Roland Aliu, pasi shpëtoi një tetëvjeçar nga flakët në Poitiers u vlerësua me një medalje ari. Më pas, ai kishte shpresën për të përfituar një leje qëndrimi pas disa refuzimeve.

Mirëpo, ai dhe familja e tij duhet të largohen nga territori francez brenda një muaji. “Në shënjestër janë edhe babai im, nëna ime dhe vëllai im i vogël, nuk e kuptoj, i kisha shkruar Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Brendshme, të dy u përgjigjën se nuk mund të bënin asgjë direkt”, tha ai.

Përballë kësaj situate, në 7 janar organizohet një tubim mbështetjeje përpara prefekturës.